Këngëtarja Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj për shkak të përfshirjes në fushatë kundër Palestinës
Ylli botëror i muzikës pop me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka shkarkuar menaxherin e saj disavjeçar David Levy, pasi ky i fundit ishte përfshirë në një fushatë kundër Palestinës

Prishtinë
Ylli botëror i muzikës pop me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka shkarkuar menaxherin e saj disavjeçar David Levy, pasi ky i fundit ishte përfshirë në një fushatë kundër Palestinës, transmeton Anadolu.
Mediat britanike raportuan se Levy rezultoi të ishte pas një fushate që synonte pengimin e grupit irlandez Kneecap, të performonte në Festivalin Glastonbury, vetëm për shkak të orientimit të tyre pro-palestinez.
Me këtë rast, Levy ishte nënshkruesi i parë i një letre "private dhe konfidenciale" që iu dërgua themeluesit të festivalit, Michael Eavis, ku i bëhej thirrje të anulonte pjesëmarrjen e grupit rep me orientim pro-palestinez Kneecap, për shkak të lidhjeve të supozuara politike.
Pasi letra u bë publike, ylli botëror i pop-it, Dua Lipa vendosi të përfundojë marrëdhënien profesionale me Levy-n.
Një burim nga industria e muzikës i tha mediave britanike se "Dua u sigurua që David Levy të mos prodhonte më muzikën e saj", duke theksuar se "artistja është një zë i fuqishëm në mbështetje të kauzës palestineze dhe nuk mund të toleronte një menaxher që përdorte taktika të tilla".
Fituesja e çmimit Grammy ka qenë prej kohësh një mbështetëse e të drejtave të palestinezëve. Në maj të vitit të kaluar, ajo përdori platformën e saj në Instagram me 88 milionë ndjekës për të dënuar atë që e quajti "gjenocid izraelit në Gaza" dhe është bashkuar në protesta që denoncojnë bashkëfajësinë e Mbretërisë së Bashkuar në luftë.
Gjithashtu, në gusht të këtij viti, në festivalin e përvitshëm ku ajo merr pjesë në Prishtinë, "Sunny Hill Festival", u shfaq mesazhi në ekranin e madh "Liri për Palestinën".
Pavarësisht letrës ku nënshkrues ishte Levy, grupi Kneecap performoi në Glastonbury në korrik. Policia kreu një hetim të shkurtër pas disa ankesave, por më pas e mbylli çështjen për mungesë provash për ndonjë vepër penale. Grupi e cilësoi hetimin si "frikësim politik nga policia".
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka ndërmarrë një fushatë që konsiderohet si gjenocid në Rripin e Gazës, ku deri më tani janë vrarë afro 65.300 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.