Kosovë, filloi për herë të parë “Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Gjuhën Turke - Prizren”
Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, në fjalën e tij gjatë ceremonisë u shpreh i bindur se ky festival, i cili organizohet për herë të parë, do të bëhet tradicional.

Prishtinë
Në qytetin e Prizrenit, ka nisur për herë të parë “Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Gjuhën Turke - Prizren”, i cili u hap me një ceremoni solemne, raporton Anadolu.
Festivali, që këtë vit organizohet për herë të parë nga teatri “Art Theatre” në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” (YEE), u hap me një ceremoni në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, ku morën pjesë shumë të ftuar.
Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, në fjalën e tij gjatë ceremonisë u shpreh i bindur se ky festival, i cili organizohet për herë të parë, do të bëhet tradicional dhe do të kontribuojë në mbijetesën dhe fuqizimin e teatrit në gjuhën turke në Prizren dhe në të gjitha rajonet turqishtfolëse.
Ambasadori Angılı theksoi rëndësinë e madhe të teatrit për përcaktimin dhe ruajtjen e identitetit kulturor të kombeve.
“Në Ballkan, veçanërisht në ish-Jugosllavi, teatri turk i zhvilluar me qendër në Shkup dhe Prizren ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kritik për mbijetesën e gjuhës dhe kulturës turke në Rumeli”, theksoi ai.
Drejtoresha e "Art Theatre", Sonay Buş, theksoi se kujtesa e kombeve jeton në gjuhën dhe artin e tyre.
“Prizreni prej shekujsh është një qytet multikulturor dhe shumëgjuhësh, por turqishtja këtu jeton si një identitet, si një lidhje zemre. Sot, ky festival e bën sërish të dukshme këtë lidhje. Çdo duartrokitje këtu thotë: Ne jemi këtu, turqishtja është këtu, arti është këtu”, tha ajo.
Koordinatori i YEE-së për Kosovë, Ramazan Yılmaz, u shpreh i bindur se festivali do të bëhet tradicional dhe vitet e ardhshme do të zhvillohet në përmasa edhe më të mëdha.
Pas fjalimeve, u ndanë çmime mirënjohjeje për artistët që kanë kontribuar për vite me radhë në teatrin turk në Kosovë.
Ceremonia përfundoi me shfaqjen e dramës “Nevbahar” nga Teatri Turk i Shkupit, që mori pjesë në festival nga Maqedonia e Veriut.
Teatri turk në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, ka nisur aktivitetin e tij në vitet 1930 me shfaqjet "Karagöz dhe Hacivat", derisa kulmin e tij e ka përjetuar në vitet 1980.
Përkundër sfidave të shumta, sot teatri në gjuhën turke në Kosovë përfaqësohet në mënyrë aktive nga trupa të ndryshme teatrore.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.