Kulturë

Istanbul Photo Awards shpall jurinë për konkursin e këtij viti

Regjisorja dhe fotografja e National Geographic, Ami Vitale, si dhe fotoreporterja Carol Guzy i janë bashkuar jurisë së këtij viti për konkursin prestigjioz të fotografisë

Ekip  | 24.01.2022 - Përdıtësım : 25.01.2022
Istanbul Photo Awards shpall jurinë për konkursin e këtij viti

Ankara

Është shpallur juria për Istanbul Photo Awards 2022, konkursin e fotografisë të organizuar këtë vit për të tetën herë nga Anadolu Agency (AA).

Juria e këtij viti për garën prestigjioze ndërkombëtare të fotografisë përfshin fotoreporterin e agjencisë NOOR, Yuri Kozyrev, fotoreporterin e Reuters-it, Goran Tomasevic, tregimtaren vizuale Marion Mertens, ish-drejtorin e AFP-së për Zhvillimin e Biznesit të Fotografive, Michel Scotto, Kryefotoreporterin Sportiv të Getty Images, Cameron Spencer, fotoreporterin Ahmet Sel, si dhe kryeredaktorin e Departamentit të Lajmeve Vizuale në AA, Fırat Yurdakul.

Fotografja dhe regjisorja e National Geographic, Ami Vitale, e cila ka punuar në më shumë se 100 vende, dhe fotoreporterja Carol Guzy, e cila ka mbi 40 vjet përvojë në fushën e fotografisë, iu bashkuan jurisë këtë vit.

Guzy është e respektuar për punën e saj në shumë vende të botës, nga Afrika në Ballkan, që nga fillimi i biznesit të fotografisë në vitin 1980. E specializuar në projekte afatgjata në fushën e dokumentarëve, interesave njerëzore, lajmeve dhe tregimeve artistike, Guzy është aktualisht fotografe me kontratë në ZUMA Press. Përveçse është fotoreporterja e parë që ka fituar katër herë çmimin Pulitzer, Guzy ka fituar edhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare.

"Fotografët duhet të mendojnë të marrin pjesë në këtë konkurs prestigjioz. Çmimet sjellin njohje dhe i japin imazheve një jetë të dytë", thotë ajo.

"Me një ndërgjegjësim të ri mbi ndikimin kritik të ndryshimit të klimës në mjedis, shtimi i kategorisë së re të natyrës është jashtëzakonisht i rëndësishëm", shtoi Guzy.

"Çmimet në para dhe aparate ofrojnë ndihmë në përpjekjet e ardhshme në fushën e fotografisë", theksoi Guzy.

Ndërkaq, Vitale, e cila i ka kushtuar gjysmën e jetës së saj profesionale publikimeve rreth asaj që ndodh në zonat e luftës ndërkombëtare, kohët e fundit ka punuar mbi tregime për kafshët e egra.

Një fotografe e National Geographic dhe anëtare e Bordit Këshillimor të Fotografëve, Vitale është aktivisht e përfshirë në organizata që synojnë mbrojtjen e habitateve të kafshëve të egra.

Fotografja, e cila shpesh ndan përvojat e saj në programet e bisedave dhe seminareve, ka grumbulluar gjashtë çmime World Press Photo së bashku me shumë çmime ndërkombëtare.

Juria e konkursit, i cili tërheq qindra aplikime nga fotografë profesionistë në mbarë botën çdo vit, do të mblidhet online në datat 17-19 mars.

Fituesit do të shpallen në fund të marsit pas procesit të përzgjedhjes, të bërë përmes një platforme të përgatitur enkas për konkursin nga ekipi i teknologjisë i AA-së.

Informacione për të gjithë anëtarët e jurisë, të cilët të gjithë janë anëtarë prestigjiozë të botës së fotografisë, mund të gjenden në istanbulphotoawards.com/Jury.

- Afati i fundit për aplikime, 15 shkurt

Aplikimet janë të hapura për fotografët profesionistë deri më 15 shkurt, nëpërmjet adresës istanbulphotoawards.com.

Regjistrimet pranohen në shtatë kategori: Lajm-Tek, Lajm-Seri, Sport-Tek, Sport-Seri, Natyrë dhe Mjedis-Tek, Jeta e Përditshme-Seri ‘Canon’ dhe Portret-Seri.

Çmimi "Fotografia e Vitit" do t'i jepet fotografisë që është e para në kategorinë "Lajm-Tek" dhe fotografi do të shpërblehet me 6.000 dollarë.

Fituesit e vendit të parë në secilën kategori do të shpërblehen me 3.000 dollarë, fituesit e vendit të dytë 1.500 dollarë dhe fituesit e vendit të tretë me 1.000 dollarë. Në kategoritë Jeta e Përditshme-Seri dhe Portret-Seri do të ketë vetëm vend të parë.

Përveç çmimeve në para, fituesit e çmimit të parë këtë vit do të fitojnë aparate fotografike.

Konkursi, i cili tërheq mijëra aplikime çdo vit, mbështetet nga Canon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.