Hapet në Prizren edicioni i 24-të i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest
Në edicionin e 24-të të festivalit do të prezantohen 100 filma në shtatë kategori garuese nga 50 shtete të botës

Prizren
Në qytetin e Prizrenit është mbajtur ceremonia e hapjes së edicionit të 24-të të Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, i cili zgjat deri më 9 gusht, raporton Anadolu.
Edicioni i këtij viti i festivalit vjen me temën “Lakmi. Pafund. Çmendi. Boshllëk”, si një protestë dhe thirrje për të qëndruar me këmbë në tokë. Këtë vit, kjo temë nuk vjen vetëm si e tillë, por edhe si një gjendje, një reflektim mbi luftën e përhershme, mpirjen kolektive dhe krizën e gjuhës.
Në edicionin e 24-të të festivalit do të prezantohen 100 filma në shtatë kategori garuese nga 50 shtete të botës.
“Ne filluam programimin e këtij edicioni me luftëra të shumta që po zhvilloheshin. Bombardimet janë ende një dukuri e përditshme, vdekja është e kudondodhur gjatë pritjes në radhët e ushqimit në Gaza dhe spitalet janë vendet më vdekjeprurëse. Ende nuk duket fundi i kësaj çmendurie. Kjo është atmosfera në të cilën po punojmë. Në një botë ku zgjedhja për të mos folur kundër padrejtësisë po shndërrohet në normë”, tha në mesazhin e mirëseardhjes drejtori i festivalit, Veton Nurkollari.
Punëtori, panele, ekspozita fotografie, konferenca dhe koncerte do të mbahen gjithashtu në kuadër të këtij festivali. Në mbrëmjet muzikore në kuadër të festivalit të njohura si DokuNights, sivjet për herë të parë performon këngëtari kosovar Yll Limani dhe përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision, Shkodra Elektronike.
Festivali ka një program të dedikuar enkas edhe për fëmijë, të quajtur DokuKids.
Dhjetëra mijëra artdashës nga e gjithë bota pritet të vijnë në Prizren në kuadër të festivalit, i cili konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Ballkan në fushën e filmave dhe dokumentarëve të shkurtër.
Çmimet do t'u jepen fituesve në disa kategori në ditën e fundit të festivalit, më 9 gusht.
DokuFest u bë i famshëm në fillimet e tij për mbajtjen e edicioneve të festivalit në kinema "të jashtëzakonshme" në qendrën historike të qytetit, sikurse ajo në lumë dhe në kalanë e qytetit, për shkak të mungesës së një kinemaje të mirëfilltë në qytet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.