Fotografia si mjet ndërgjegjësimi: Fituesit e "Istanbul Photo Awards" flasin për fuqinë dhe ndikimin e imazheve
- "Një fotografi e fuqishme tejkalon kufijtë gjuhësorë, politikë dhe kulturorë", thotë për Anadolu fotografi fitues, Bence Mate.

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Fotografia ka një fuqi unike për të nxitur ndërgjegjësimin dhe për të ngjallur emocione, thanë fituesit e kategorive "Natyrë & Mjedis" dhe "Sport" në "Istanbul Photo Awards 2025".
"Istanbul Photo Awards", i organizuar nga Anadolu për të 11-tin vit radhazi, vlerësoi 29 fotografë në dhjetë kategori. Përzgjedhjet u bënë nga afërsisht 22.000 aplikime nga e gjithë bota, një dëshmi e prestigjit në rritje të konkursit i cili ka tërhequr pjesëmarrje nga më shumë se 20.000 fotografë në gjithë botën që nga fillimi i tij.
- Një simfoni vizuale në natyrë
Fotografi hungarez Bence Mate u vlerësua me çmimin e dytë në kategorinë "Natyrë & Mjedis Tek" për fotografinë e tij "I rrethuar", një moment i shkurtër harmonie midis një elefanti dhe zogjve "quelea".
"Kjo fotografi është bërë gjatë një momenti magjik në natyrën afrikane", tha Mate për Anadolu duke shtuar se e zgjodhi atë sepse ishte një nga fotot e tij më të mira që nuk ishte publikuar më parë.
Ai e përshkroi skenën si "silueta e elefantit e bashkuar me vallëzimin kaotik, por elegant të zogjve", duke krijuar një simfoni vizuale të papritur.
"Momente të tilla kërkojnë durim, intuitë dhe një prekje fati – dhe kur gjithçka u bashkua, unë instinktivisht shtypa butonin e shkrehjes", tha Mate, duke theksuar se sfida kryesore ishte të priste çastin e saktë kur lëvizja e zogjve përputhej në mënyrë të përkryer me pozicionin e elefantit.
Mate tha se qasja e tij ndaj fotografisë së natyrës është formuar nga disiplina, durimi dhe shqetësimi minimal i mjedisit natyror dhe theksoi se ai gjithmonë "e vëzhgon me kujdes sjelljen e kafshëve".
- Fotografia si gjuhë ndryshimi
Mate theksoi se megjithëse puna e tij përqendrohet në natyrë dhe jo në subjekte të tjera, fotografia ka fuqi universale.
"Parimi mbetet i njëjtë: një fotografi e fuqishme tejkalon kufijtë gjuhësorë, politikë dhe kulturorë", tha ai duke shtuar se fotografia mund të frymëzojë "empati, veprim dhe madje edhe ndryshim politik".
Mate gjithashtu nënvizoi dimensionin etik të zanatit, duke thënë: "Me këtë fuqi vjen përgjegjësia, ne duhet të jemi të ndershëm, respektues dhe etikë në mënyrën se si i portretizojmë subjektet tona".
"Fotografët kanë si mundësinë dhe për këtë arsye detyrimin të paraqesin të vërtetën dhe bukurinë në një mënyrë që rezonon me dhe prek njerëzit", tha ai.
- "Autenticiteti duhet të mbetet përparësi kryesore"
Duke reflektuar mbi ndryshimin teknologjik në këtë fushë, Mate tha se mjete të tilla si autofokusi, shkrehësit me telekomandë dhe ulja e zhurmës kanë ndryshuar lojën, "por shpirti i fotografisë është ende historia që tregon, jo teknologjia që qëndron pas tij".
Ai tha se teknologjia, ndërsa zhbllokon mundësi të reja krijuese, ka sjellë edhe sfida të reja. "Vija midis realitetit dhe manipulimit nuk ka qenë kurrë më e hollë", tha ai duke theksuar se "autenticiteti duhet të mbetet përparësi kryesore".
Mate tha se ka ndjekur konkursin "Istanbul Photo Awards" për vite me radhë dhe gjithmonë ka admiruar fuqinë dhe diversitetin e fotografive të përzgjedhura. "Në fillim, u habita plotësisht, pastaj u ndjeva thellësisht i nderuar".
"Çmime si 'Istanbul Photo Awards' nuk janë vetëm njohje, por edhe pohime se edhe puna e qetë, shpesh e vetmuar, mund të ketë ndikim të qëndrueshëm", shtoi ai.
Mate nënvizoi se ky vlerësim hedh dritë jo vetëm mbi fotografin, por edhe mbi vetë subjektin dhe "në këtë rast, bukurinë dhe cenueshmërinë e natyrës", duke shtuar se i kjo i ka dhënë një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, krenarie dhe motivimi të ripërtërirë për të vazhduar krijimin dhe rrëfimin e historive.
- Oqeane frymëzimi në lëvizje
Në kategorinë "Sport Tek", fotografi kolumbian Camilo Diaz fitoi çmimin e tretë për fotografinë e tij të mrekullueshme nënujore "Zhytës i lirë midis Sardeleve", të bërë në ujërat e Moalboalit në Filipine.
"Shkova posaçërisht për të gjetur një tufë me miliarda sardele", tha Diaz për Anadolu.
"Uji ishte shumë i turbullt", tha ai duke shpjeguar se ai dhe ekipi i tij kaluan një javë të plotë duke u zhytur në kushte sfiduese përpara se më në fund të fitonin shikueshmëri të mirë për të kapur këtë "moment unik".
I specializuar në fotografinë nënujore, Diaz tha se disiplina kërkon jo vetëm kreativitet, por edhe qëndrueshmëri fizike dhe ndjeshmëri mjedisore. "Fotografia duke mbajtur frymën nën ujë është shumë e veçantë; kërkon kujdes për veten, modelin dhe mjedisin", shtoi ai.
- Nga bollëku te ndërgjegjësimi
Përtej tërheqjes vizuale, Diaz shpreson që puna e tij të tërheqë vëmendjen te bollëku i brishtë që është ende i pranishëm në ekosisteme si ai i Moalboalit.
"Unë besoj se ky takim disi i rastësishëm dhe bollëku që kemi ende në ekosistemet tona ia vlen t'i tregohen botës. Vende të pabesueshme ku e shohim bollëkun si një shpresë për fjalën "konzervim'", tha ai.
Ai beson në përdorimin e fotografisë për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm dhe iniciativat e konzervimit.
"Unë e konsideroj aparatin fotografik si mjet shumë të fuqishëm, si për mirë ashtu edhe për dëm", tha Diaz duke shtuar se synon ta përdorë atë për të promovuar ruajtjen dhe turizmin e përqendruar në kujdesin ndaj kafshëve.
Diaz e përshkroi Moalboalin si një hapësirë frymëzuese që, përmes fotografive të tij, nxit kujdesin për mjedisin dhe turizmin e përgjegjshëm, duke e quajtur atë një "vend i vogël që fton për ruajtjen e oqeaneve të mëdha".
Ai vlerësoi teknologjinë për ndihmesën që jep në përhapjen e mesazheve mjedisore: "Menjëhershmëria e fotografisë në telefonat që kemi sot na lejon të marrim veprime të shpejta ndaj problemeve që zakonisht ecin ngadalë".
Duke e quajtur momentin e marrjes së çmimit "shumë emocionues", Diaz tha se të shihte cilësinë e fotografëve fitues në të gjitha kategoritë e bëri të ndiejë se "përpjekja e shumë viteve ia ka vlejtur", veçanërisht për të ndarë hapësirën me histori kaq të fuqishme nga mbarë bota.
"Instanbul Photo Awards" e organizuar nga Anadolu është bërë një pikë kyç e fotogazetarisë globale, duke festuar artin e rrëfimit vizual dhe duke hedhur dritë mbi çështje kritike në mbarë botën.
Këtë vit, konkursi "Istanbul Photo Awards" mbështetet nga Turkcell si sponsor komunikimi, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si sponsor i aktiviteteve jashtë vendit, dhe Turkish Airlines si sponsor ajror.
Më shumë informacione për fotografitë fituese dhe anëtarët e jurisë mund të gjenden në istanbulphotoawards.com.