Kulturë

Ekspozitë për 99-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet

Në ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet" janë ekspozuar foto dhe dokumente rreth Tiranës të periudhës pas shpalljes si kryeqytet i vendit

Saimir Alija  | 11.02.2019 - Përdıtësım : 12.02.2019
Ekspozitë për 99-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës pasditen e sotme organizuan ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet", raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e hapjes së ekspozitës, që u organizua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, si dhe studiues.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se është shumë i lumtur teksa po e mbyllin shekullin e parë të Tiranës si kryeqytet.

“Sot është një moment që në këtë gjysmë rrugëtim të kthejmë kokën mbrapa dhe të themi sa shumë rrugë kemi bërë. Sot falë Arkivës së Shtetit në këtë vatër shumë të ngrohtë të Tiranës, ne sjellim një pjesë të historisë së Tiranës. Merrni vendime të drejta sepse vendimet e drejta dhe të mira mund të transformojnë jetë njerëzish, siç ishte vendim i Kongresit të Lushnjes për ta bërë Tiranën kryeqytet”, u shpreh Veliaj.

Sipas Veliajt, kujtimet në fotot e ekspozitës nuk janë vetëm disa foto bardhë e zi nga e kaluara, por janë produkt i vendimeve të një kongresi që e ktheu Tiranën në kryeqytet.

“Unë besoj shumë që ne në 100 vitet e tjera të Tiranës do bëjmë do të bëjmë punë edhe më të mëdha. Tani që po flasim ne jemi duke pastruar pjesën tjetër të kalasë së Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Në ekspozitën fotografike dhe dokumentare “Tirana 99 vjet kryeqytet" janë ekspozuar foto dhe dokumente rreth Tiranës të periudhës pas shpalljes si kryeqytet i vendit, ndërsa do të qëndrojë e hapur një javë.

Me rastin e përvjetorit të 99-të të shpalljes së Tiranës si kryeqytetit i vendit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për përkujtimin e çasteve më të rëndësishme të historisë së kryeqytetit të Shqipërisë.

Më 11 shkurt të vitit 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos me seli në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın