Kulturë

Ekspozita e Istanbul Photo Awards hapet në selinë e OKB-së në New York

40 foto të shpërblyera do të ekspozohen në selinë e OKB-së në New York deri më 2 nëntor

Servet Günerigök  | 23.10.2018 - Përdıtësım : 23.10.2018
Ekspozita e Istanbul Photo Awards hapet në selinë e OKB-së në New York ( Atılgan Özdil - Anadolu Agency )

Washington

NEW YORK (AA) - Ekspozita e tretë e Istanbul Photo Awards 2018, organizuar nga Anadolu Agency (AA), u hap të hënën në New York, ku në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u ekspozuan fotografitë e shpërblyera në kuadër të këtij konkursi.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së, Mustafa Özkaya, tha se ndihet i kënaqur për hapjen e ekspozitës së këtij viti, e cila më herët u mbajt edhe në Stamboll dhe Ankara.

Konkursi ndërkombëtar sponsorizohet nga Bashkia Metropolitane e Stambollit, Turkish Airlines dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në fjalën e tij, Özkaya e cilësoi konkursin si një ngjarje "gjerësisht të njohur dhe prestigjioze" në mbarë botën.

"Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të AA-së (Şenol Kazancı) dhe kolegëve tanë, do të doja të falënderoja Kombet e Bashkuara për mikpritjen për ekspozitën tonë për herë të tretë dhe, gjithashtu, do të doja të falënderoj mysafirët dhe sponsorët tanë", tha ai.

Ambasadori i Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioğlu, vlerësoi pozitivisht garën për mbështetjen që u jep "fotoreporterëve të talentuar".

"Ne shohim në këto fotografi fuqinë e fotografisë për të përçuar mesazhe të fuqishme për gjithë njerëzimin", tha Sinirlioğlu.

Ai gjithashtu përkujtoi fotografin e njohur nga Turqia, Ara Güler, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.

Ndër të pranishmit ishin zyrtarë turq dhe të huaj dhe një nga fituesit e konkursit, Marcus Yam nga SHBA, i cili ishte shpërblyer në kategorinë e përmbledhjes së fotografive mbi natyrën dhe mjedisin. Seria e tij e fotografive për Los Angeles Times kishte të bënte me zjarret e vitit 2017 në Kaliforni.

Ekspozita në selinë e OKB-së do të vazhdojë deri më 2 nëntor.

Gara ka pranuar 37.000 aplikime nga 125 vende, ndërsa juria ndërkombëtare shpërbleu 27 fotografë nga 22 vende.

Damir Sagolj, fotoreporter boshnjak, ishte shpallur fituesi i këtij viti me një fotografi të një foshnje të vdekur të komunitetit musliman Rohingya.

Kevin Frayer nga Kanadaja ishte fituesi i kategorisë së përmbledhjes së foto-lajmeve mbi komunitetin Rohingya.

Lukas Schulze mori çmimin e parë në kategorinë e fotografive të vetme në fushën e sportit. Fotoja e tij me titull "Atleti përballë kafshëve" është shkrepur gjatë kampionatit botëror të notit FINA në Budapest, në vitin 2017.

Pavel Volkov nga Rusia fitoi çmimin e parë në kategorinë e përmbledhjes me fotografi në fushën e sportit, me fotografitë e tij të atletëve me aftësi të kufizuara.

Fotograf malajzian Muhamed Fathil Asri siguroi çmimin e parë në kategorinë e fotografive të vetme mbi natyrën dhe mjedisin. Fotografia e tij, e shkrepur nga lartësia, tregon disa automjetet që lëvizin drejt një stacioni të vjetër të autobusëve për të shpëtuar nga një përmbytje në Pekan Rantau Panjang të Malajzisë në fillim të vitit 2017.

Andrew McConnell nga Irlanda fitoi në kategorinë e serisë së portreteve, ndërsa fotografi rus Sergei Stroitelev u shpërblye në kategorinë e serisë së fotografive mbi jetën e përditshme.

Fotografi filipinas Ezra Acayan mori çmimin e fotografit të ri.

Rodrigo Cabrita nga Portugalia u shpërblye me çmimin e nderit në kategorinë e natyrës dhe mjedisit, ndërsa rusja Anastasia Rudenko fitoi të njëjtin çmim në kategorinë e jetës së përditshme.

Të gjitha fotografitë fituese janë në dispozicion në faqen e internetit www.istanbulphotoawards.com, kurse dhe fotografët profesionistë mund të aplikojnë për konkursin e vitit të ardhshëm në të njëjtën faqe nga 1 nëntori i këtij viti deri më 31 janar të vitit 2019.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.