
Uşak
Sekreti i qilimit "Uşak", i ekspozuar në muzetë me famë botërore, fshihet në motivet e tij dhe në numrin e nyjeve që kanë kaluar nëpër duart e mjeshtrit.
Që nga shekulli i 15-të, qilimat e Uşakut, një simbol prestigji, zunë vendin e tyre në pallate dhe vende të rëndësishme. Për shkak të kësaj veçorie, motivet dhe modelet e këtyre produkteve të punuara me dorë, të quajtura edhe "Qilima të Pallatit", zakonisht përmbajnë një mesazh.
Qilimat e Uşakut janë të endur në 14 lloje të ndryshme, sipas motiveve të tyre.
Për shembull, modeli i madh i medaljonit në mes të qilimit simbolizon pafundësinë. Dihet se një nga qilimat më të famshëm të Uşakut, "Medaljoni", është endur në madhësi prej 200-300 metrash katrorë dhe është përdorur në pallate nga sundimtarët në të kaluarën.
Qilimat e Uşakut, të cilët u shfaqën në pikturat e piktorëve të famshëm evropianë si Hans Holbein dhe Lorenzo Lotto, gjetën vendin e tyre në modelin me emrat e këtyre artistëve. Modele të tilla si zogj, dragonj, yje, diell dhe njolla në qilima kanë gjithashtu kuptimet e tyre.
Sot, është e mundur të shihen qilimat e Uşakut në muzetë më të famshëm në botë.
Qilimat e Uşakut janë të ekspozuar në Muzeun Louvre në Paris, Muzeun Bardini në Firence, Muzeun Metropolitan të Artit në New York, Muzeun e Philedelphias, Muzeun Victoria dhe Albert në Londër, National Gallery Of Art në Londër, Muzeun Kombëtar në Budapest, Muzeun e Arteve Turke dhe Islame në Stamboll, Muzeun e Arteve Islame në Berlin, Muzeun Kombëtar Metropolitan të Kuvajtit, Muzeun e Qilimave në Stamboll dhe Muzeun Mevlana në Konya.
- 90 mijë qepje për metër katror
Qilimi është i endur tërësisht nga fije leshi të ziera dhe të ngjyrosura me lëvore dhe ekstrakte bimësh, dhe afërsisht 90 mijë nyje janë të lidhura për metër katror. Në qilimat e Uşakut, ku përdoret teknika e nyjave të mbyllura, një traditë turke e thurjes, një punëtor mund të thur maksimumi 7.500 nyje në ditë.
Qilimat tradicionalë të Uşakut vazhdojnë të prodhohen në "Shtëpinë e Qilimave dhe Rrugëve Dokuyan Eller" brenda Administratës Speciale Provinciale të Zyrës së Guvernatorit të Uşakut dhe Dokurevi të Bashkisë së Uşakut.
Sekretari i Përgjithshëm i Administratës Speciale Provinciale të Zyrës së Guvernatorit të Uşakut, Sabri Ceylan, për Anadolu tha se ata vazhdojnë ta mbajnë gjallë qilimin shekullor të Uşakut duke e endur atë me metoda tradicionale.
"Qilimi i Uşakut vazhdoi ekzistencën e tij si një simbol prestigji në pallatet osmane, kështjellat evropiane dhe shumë vende të rëndësishme në Evropë që nga shekulli i 15-të. Që atëherë, qilimi i Uşakut ka mbijetuar deri më sot, duke mbajtur të njëjtat motive, të njëjtën cilësi dhe të njëjtat karakteristika. Ne po punojmë për t'ua paraqitur trashëgiminë tonë të pasur kulturore njerëzve me të njëjtën cilësi dhe për të kontribuar në ekonominë e vendit tonë, duke e çuar këtë në skenën ndërkombëtare", tha Ceylan.
Ayşe Nurçin Barış, e cila punon si dizajnere deklaroi se qilimi Uşak merr karakteristikën e tij nga nyja e mbyllur, e cila është një traditë e nyjave turke, dhe nga numri i sythave dhe motiveve të tij.
Duke nënvizuar se ata përpiqen të prodhojnë qilima të së njëjtës cilësi, Barış tha: "Meqenëse ruajmë karakteristikat e së kaluarës, i prodhojmë ato me të njëjtën cilësi, përkatësisht 28 me 32. Kjo do të thotë që qilimi ka 28 nyje në një gjerësi 10 centimetra dhe 32 nyje në një gjatësi 10 centimetra. Ka afërsisht 90.000 nyje në një metër katror të qilimit. Një grua mund të endë një metër katror të qilimit në 14 ditë. Kjo është arsyeja pse prodhimi i një qilimi Uşak zgjat më shumë se të tjerët. Arsyeja është dendësia e nyjave dhe motivi".
- "Duhet të jesh e qetë kur thur qilim"
Barış theksoi se qilimi i Uşakut nuk zbehet për shkak të metodës natyrale të ngjyrosjes së përdorur dhe se ngjyrat e qilimit bëhen më të ndritshme kur ekspozohen ndaj diellit.
Mjeshtrja e qilimave Emine Karagöz theksoi gjithashtu se ajo mësoi endjen nga familja e saj në fëmijëri.
Karagöz, duke shpjeguar se preferojnë metodat tradicionale në prodhim, tha: "Sjellja e historisë në të tashmen dhe dhënia e një shembulli për të rinjtë na bën të ndihemi mirë. Kur endim qilimat tanë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qetë. Kur je e hutuar, modelet dalin të ngatërruara. Kur je e zemëruar për diçka, e godet gjilpërën shumë fort gjatë endjes së një qilimi. Filli këputet dhe modeli del i shtrembër. Me fjalë të tjera, kjo kërkon qetësi dhe vëmendje të kujdesshme".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.