Studentët gdhendin në gurë motive nga veprat e Arkitekt Sinanit
Studentët gjetën motivet dhe modelet gjeometrike në veprat e Arkitekt Sinanit, i cili krijoi vepra në shumë vende të Perandorisë Osmane, përmes skanimit të katalogëve dhe arkivave, dhe filluan t'i përpunonin ato në gurë.

Kayseri
Praktikantët dhe studentët e universitetit që marrin trajnim praktik në Qendrën e Trajnimit për Restaurim në Talas të Kayserit (TAREM), gdhendin mbi gurë motivet e përdorura në veprat e arkitektit kryesor osman, Arkitekt Sinanit.
E themeluar në kampusin e Jetimores Sion (Shkolla e Trajnimit të Mësuesve të Fshatit) në lagjen Zincidere me bashkëpunimin e Bashkisë Talas dhe Universitetit të Kayserit (KAYÜ), TAREM bashkon ata që janë të interesuar në përpunimin e gurit, drurit dhe hekurit, si dhe studentët e departamenteve të arkitekturës dhe planifikimit urban.
Përafërsisht 20 studentë dhe praktikantë gjetën motivet dhe modelet gjeometrike në veprat e Arkitekt Sinanit, i cili krijoi monumente në shumë vende të Perandorisë Osmane, përmes skanimit të katalogëve dhe arkivave, dhe filluan t'i përpunonin ato në gurë.
Punimet e studentëve, të cilët gdhendën modele tulipanësh dhe motive gjeometrike në gurë, do të ekspozohen në fund të vitit.
Kevser Laleli, pedagoge e Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Urban në Shkollën Profesionale KAYU Tomarza dhe Koordinatore e Punëtorisë së Gurit TAREM, për Anadolu tha se studentët që marrin trajnime për vizatim dhe teori në klasa kanë mundësinë të praktikojnë në TAREM.
Duke deklaruar se studentët mësojnë përpunimin e gurit me ndihmën e mjeshtërve në qendër, Laleli tha: "Ata fitojnë përvojë aplikimi në materiale druri, si dhe në gurë. Studentët tanë fitojnë përvojë individuale këtu para se të diplomohen".
- Motivet e Arkitekt Sinanit
Laleli shpjegoi se qendra u themelua duke marrë frymëzim nga Arkitekt Sinani, i cili lindi dhe u rrit në lagjen Ağırnas të Kayserit.
"Qëllimi ynë për të ngritur një punishte në këtë qytet ku jetoi Arkitekt Sinani ishte të mbanim gjallë traditën dhe të vazhdonim punimet me gurë dhe zdrukthëtari. Motivet e Arkitekt Sinanit u gdhendën në gur në këtë punishte, dhe ne gjithashtu hulumtuam modelet gjeometrike, modelet e tulipanëve dhe motivet që Arkitekt Sinani shpesh përdori në veprat e tij të ndryshme dhe studentët tanë filluan t'i përpunonin këto në gurë. Këto janë përgjithësisht motivet që ai përdorte në xhami, forma gjeometrike gjashtëkëndore, rrethore ose këndore", tha ajo.
Zeynep Beyza Demirbaş, një nga studentet, tha se falë qendrës, ato patën mundësi të shihnin rëndësinë e punës së tyre dhe se e shijuan vërtet këtë punim.
Duke deklaruar se motivet në veprat e Arkitekt Sinanit i kanë gdhendur në gur, Demirbaş tha se ishte e kënaqur që mori pjesë në një aktivitet të tillë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.