Shqipëri, shfaqet filmi turk “Përkushtimi i Hasanit”
I pranishëm në shfaqjen e filmit në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë ishte edhe regjisori i këtij filmi dhe skenaristi i njohur turk, Semih Kaplanoğlu

Tiranë
Në Shqipëri është shfaqur filmi turk “Përkushtimi i Hasanit” (Bağlılık Hasan) në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, me mbështetjen e Institutit "Yunus Emre” - Tiranë, raporton Anadolu.
I pranishëm në shfaqjen e filmit në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë ishte edhe regjisori i këtij filmi dhe skenaristi i njohur turk, Semih Kaplanoğlu.
Ndërkohë, të pranishëm ishin edhe drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kaplanoğlu përmendi se lidhjet e tij familjare nga ana e nënës janë shqiptare, përkatësisht nga Elbasani.
Duke theksuar se shpreson që të pëlqehet filmi, ai tha se po përballet me një mikpritje shumë të mirë në Shqipëri.
"Filmi që shfaqet sot mund të përcaktohet edhe si hallka e dytë e një cikli prej tre filmash. Tema kryesore bazë e gjithë këtij cikli është përkushtimi. Filmi i parë shpreh lidhjet e nënës me fëmijën, ndërsa filmi i dytë, ky që do të ndiqni sot, pasqyron lidhjen mes dy vëllezërve", shpjegoi Kaplanoğlu në fjalën e tij.
Regjisori Kaplanoğlu po viziton Shqipërinë në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, ndërkohë gjatë ditës së nesërme do të takohet dhe do të realizojë një bashkëbisedim edhe me studentët e Universitetit të Arteve.
Festivali ka filluar më 9 qershor dhe do të përfundojë më 13 qershor, ndërkohë konkurrojnë filma nga disa vende.
Ky festival zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës, Universitetit të Arteve në Shqipëri dhe disa institucioneve të tjera.