Qendra Kërkimore për Macet në Van të Turqisë punon për rritjen e popullatës së maceve të rralla me sy unikë
Këto mace të bardha, të famshme për pamjen e tyre me sy të ndryshëm, zakonisht një blu dhe një në ngjyrë qelibari, së bashku me dashurinë e tyre ndaj ujit dhe sjelljen e ngjashme me atë të luanit, marrin kujdes të plotë në "Vilën e Maceve"
Shkup
Qendra Kërkimore për Macet në Universitetin Van Yuzuncu Yil (YYU) po intensifikon përpjekjet për të ruajtur dhe rritur popullsinë e maceve të Vanit, që është një racë e rrallë e njohur për ngjyrat e ndryshme të syve dhe rëndësinë e saj kulturore në Turqi, raporton Anadolu.
Këto mace të bardha si bora, të famshme për pamjen e tyre me sy të ndryshëm, zakonisht një blu dhe një në ngjyrë qelibari, së bashku me dashurinë e tyre ndaj ujit dhe sjelljen e ngjashme me atë të luanit, marrin kujdes të plotë në objektin e dedikuar të universitetit "Vila e Maceve".
Drejtori i Qendra Kërkimore për Macet, Abdullah Kaya, tha se objekti ka përfunduar vlerësimin për vitin 2025 dhe ka hartuar programin për vitin 2026.
“Gjatë gjithë vitit, ne punojmë për t’i ndihmuar kafshët të rikuperojnë peshën dhe gjendjen që humbasin gjatë shtatzënisë dhe periudhës së ushqyerjes me gji, duke i përgatitur për sezonin e shumimit 2026 në shëndet të plotë”, tha Kaya.
Qendra kryen kontrolle të rregullta shëndetësore dhe rregullon programet ushqimore për të siguruar kushte optimale për shumim. Meqenëse raca është nën mbrojtje për shkak të statusit të saj të rrezikuar, çdo rritje e numrit konsiderohet jashtëzakonisht e vlefshme.
“Qëllimi ynë nuk është thjesht lindja e koteleve. Qëllimi ynë është lindja e koteleve origjinale të Vanit. Ne duam të shohim një mace Vani në çdo shtëpi”, theksoi Kaya.
Vitin e kaluar, në "Vilën e Maceve" lindën 120 kotele, prej të cilave 15 shfaqën heterokromi, përkatësisht me tiparin karakteristik të syve me ngjyra të ndryshme që e bën këtë racë të famshme.
Objekti gjithashtu është kthyer në një atraksion turistik, duke tërhequr mijëra vizitorë çdo vit, të cilët vijnë për të vëzhguar këto kafshë të mirëmbajtura në ambiente me klimë të kontrolluar dhe pishina të projektuara posaçërisht për not.
Qendra ka 34 vjet që punon për ruajtjen e prejardhjes së maceve të Vanit, duke kombinuar kujdesin veterinar me studime gjenetike për të mbrojtur karakteristikat origjinale të racës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
