Piktura nga Frida Kahlo shitet për 55 milionë dollarë, thyen rekordin për artiste femra
Piktura e vitit 1940, e titulluar "El sueño (La cama)" ose "Ëndrra (Shtrati)", kaloi rekordin e mëparshëm prej 44,4 milionë dollarësh të vendosur në vitin 2014
Ankara
Një autoportret i piktores ikonike meksikane Frida Kahlo është shitur për 54,7 milionë dollarë në një ankand të "Sotheby's" në New York, duke vendosur rekord të ri për çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë për një vepër arti nga një artiste femër, transmeton Anadolu.
Piktura e vitit 1940, e titulluar "El sueño (La cama)" ose "Ëndrra (Shtrati)", kaloi rekordin e mëparshëm prej 44,4 milionë dollarësh të vendosur në vitin 2014 nga vepra e Georgia O'Keeffe "Jimson Weed/White Flower No. 1", tha CBS News.
"Ky rezultat rekord tregon sa larg kemi arritur, jo vetëm në vlerësimin e gjenisë së Frida Kahlo-s, por edhe në njohjen e artisteve femra në nivelet më të larta të tregut të artit", ka thënë Anna Di Stasi, drejtore e artit latinoamerikan në Sotheby's.
Piktura paraqet Kahlo-n duke fjetur në një shtrat që duket se lundron dhe është i mbuluar me hardhi, ndërsa një skelet i mbështjellë me dinamit qëndron pezull mbi të - një imazh që interpretohet si reflektim mbi vdekshmërinë.
Ajo ishte shitur për herë të fundit në vitin 1980 për 51 mijë dollarë, gjë që e bën çmimin e ri mbi 1.000 herë më të lartë se ai fillestar.
Shitja e fundit theu gjithashtu rekordin personal të Kahlo-s të vendosur në vitin 2021, kur piktura e saj "Diego dhe unë" (1949) u shit për 34,9 milionë dollarë.
Blerësi ka mbetur anonim, ndërsa vepra - një nga të paktat e Kahlo-s që ndodhen në pronësi private jashtë Meksikës - është kërkuar tashmë për ekspozita të ardhshme në New York, Londër dhe Bruksel.
Pavarësisht shqetësimeve për mundësinë e kufizuar të ekspozimit publik, piktura vazhdon të simbolizojë ndikimin global të qëndrueshëm të Kahlo-s.
"Ajo nuk pikturonte ëndrra. Ajo pikturonte realitetin e saj", theksoi Sotheby's.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
