Muzeu Kombëtar i Libisë i çon vizitorët në një udhëtim nëpër histori
Muzeu shfaq skulptura të epokës romake, objekte të epokës osmane dhe syzet dhe pushka e Omar Mukhtarit, "Luanit të Shkretëtirës", i cili i rezistoi pushtimit italian të Libisë.
Tripoli
Muzeu Kombëtar i Libisë, i cili mbeti i mbyllur për 14 vjet pas rënies së regjimit të Muamar Gadafit, i çon vizitorët në një udhëtim nëpër histori me pamjen e tij të rinovuar.
I vendosur në një pjesë të rëndësishme të Pallatit Alhambra në qytetin e vjetër të Tripolit dhe i shtrirë në katër kate, muzeu shfaq më shumë se 5.000 objekte historike.
Duke ofruar një udhëtim nëpër historinë e Libisë nga kohërat parahistorike deri në ditët e sotme, muzeu, i cili u rihap më 12 dhjetor, paraqet statuja të shumta nga periudha romake, objekte nga epoka osmane dhe sende personale të Omar Mukhtarit, i njohur me nofkën "Luani i Shkretëtirës", i cili i rezistoi pushtimit italian, siç janë syzet, shkopi dhe pushka e tij, si dhe zyra e mbretit Idris Senussi.
- Një udhëtim nëpër historinë e Libisë
Drejtori i Administratës së Antikiteteve të Libisë, Muhammed esh-Shekshuki, për Anadolu tha se muzeu strehon objekte që mbulojnë të gjitha fazat e historisë së Libisë, kronologjikisht nga kohërat parahistorike deri në ditët e sotme.
Shakshuki deklaroi se shumë objekte historike janë kontrabanduar nga Libia që nga viti 1990, veçanërisht pas Revolucionit të Shkurtit të vitit 2011, duke shtuar: "Disa objekte të kontrabanduara më parë në Itali, Francë dhe Belgjikë janë kthyer. Falë përpjekjeve të Qeverisë së Unitetit Kombëtar, ne kemi rikthyer 21 objekte të kontrabanduara në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Austri, Francë dhe Zvicër".
Ai theksoi se muzeu shfaq objekte nga periudha osmane, veçanërisht ato nga epoka kur sundoi dinastia Karamanli, duke thënë: "Për shembull në ekspozitë janë një fron i lëvizshëm dhe një gotë e dhuruar për Karamanli Jusuf Pasha nga Mbreti i Spanjës, si dhe veshje që përfaqësojnë dinastinë Karamanli".
Ai përmendi gjithashtu se muzeu shfaq objekte nga periudha osmane, veçanërisht ato nga epoka kur sundoi dinastia Karamanli.
- Syzet dhe pushka e "Luanit të Shkretëtirës" Omar Mukhtar
Shekshuki deklaroi se muzeu mori gjithashtu sende të shumta personale nga familjet e muxhahedinëve (luftëtarët e rezistencës) që i rezistuan pushtimit italian, duke shtuar: "Më të rëndësishmet nga këto janë sendet personale të udhëheqësit të muxhahedinëve Omar Mukhtar, siç janë syzet, shkopi, pushka dhe disa korrespondenca të tij. Ka gjithashtu sende të rëndësishme që i përkasin muxhahedinëve Suleiman al-Baruni, dhe një shpatë që i përket Ramazan Suwayhili dhe Ahmed al-Sharif."
Po ashtu shtoi se trekëmbëshi mbi të cilin italianët ekzekutuan 14 muxhahedinë gjatë pushtimit është gjithashtu i ekspozuar në muze.
- Mumiet nga periudhat para faraonëve egjiptianë
Drejtori i muzeut, Kemal Yusuf esh-Shitvi, deklaroi gjithashtu se muzeu shfaq mumiet nga periudhat edhe para faraonëve egjiptianë, dhe se këto janë mumiet më të vjetra të njohura.
Shitvi tha se një pasqyrë që i përkiste Jusuf Pashës së Karamanit, e cila ishte kontrabanduar në SHBA, u kthye së fundmi në Libi përmes përpjekjeve diplomatike dhe tani është në ekspozitë në muze.
Hanedi al-Qadi, një banor i Tripolit që vizitoi muzeun, tha se gjendja aktuale e muzeut është "e mrekullueshme" dhe se ka seksione që u pëlqejnë të gjithë vizitorëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
