Turqia, Kulturë

Ish-mjeshtri i ndërtimit i përkushtohet artit të pikturës pas pensionimit

Pas daljes në pension, Musa Samasti filloi t'i kushtonte më shumë kohë pikturës, një aktivitet që e kishte ndjekur në shkollën e mesme dhe herë pas here e praktikonte.

Mesut Karaduman  | 09.08.2025 - Përdıtësım : 11.08.2025
Ish-mjeshtri i ndërtimit i përkushtohet artit të pikturës pas pensionimit Foto: Mesut Karaduman/AA

Tekirdağ

TEKIRDAĞ (AA) - MESUT KARADUMAN - Musa Samasti, një punëtor ndërtimi 70-vjeçar në pension që jeton në Tekirdağ të Turqisë, i është përkushtuar pikturës pas daljes në pension dhe ka hapur pesë ekspozita personale.

Samasti, i cili punoi në kantiere ndërtimi për vite me radhë, duke fituar jetesën duke transportuar tulla dhe llaç, doli në pension 15 vjet më parë.

Pas daljes në pension, Samasti filloi t'i kushtonte më shumë kohë pikturës, një aktivitet që e kishte ndjekur në shkollën e mesme dhe herë pas here e praktikonte.

Me kalimin e kohës, Samasti ka zhvilluar aftësitë e tij dhe ka hapur pesë ekspozita deri më sot, duke prezantuar punën e tij para dashamirësve të artit.

Duke mos u mjaftuar vetëm me pikturën, ai ka filluar gjithashtu të dekorojë fasada të shtëpive, shoqatave dhe ndërtesave të ndryshme me pikturat e tij.

Samasti tha për Anadolu se ka punuar fizikisht për vite me radhë dhe se pas daljes në pension, iu përkushtua pikturës, një pasion që e kishte pasur në rini. "Isha shumë i interesuar për pikturën gjatë viteve të shkollës së mesme. Lëndët e mia të preferuara ishin piktura dhe letërsia. Isha shumë i interesuar në këto fusha. E zbulova vetë interesin tim për pikturën dhe nuk e braktisa kurrë", thotë ai.

Në vazhdim, Samasti shpjegoi se për shkak të sfidave të jetës, ai nuk mund t'i kushtonte aq kohë pikturës sa dëshironte, por pas daljes në pension, ai filloi të kalonte kohë me kanavacën e tij.

- "Më pëlqen të pikturoj dhe të dekoroj muret"

Samasti tha se vlerësimi i veprave të tij e bën shumë të lumtur.

"Deri tani kam hapur pesë ekspozita. Ekspozita ime e fundit u mbajt në festivalin e organizuar nga Shoqata e Kulturës, Ndihmës dhe Solidaritetit të Provincave të Detit të Zi të Tekirdağ. Dua të hap një ekspozitë edhe në Universitetin 'Namık Kemal'. Gjithashtu pikturoj në mure", thotë Samasti duke shtuar:

"Detajet më të imëta të pikturave të mia murale janë më të pakta se ato në kanavacë sepse përdor një furçë të madhe ose ndonjëherë një rul. Më pëlqen të pikturoj dhe të dekoroj muret dhe të krijoj piktura me pasion".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın