Iraniani nga i cili u frymëzua filmi "The Terminal" vdes në aeroportin e Parisit
Nasseri, i lindur në vitin 1945 në një familje irano-britanike, u bllokua në aeroportin e Parisit Charles de Gaulle në vitin 1988 pasi nuk kishte dokumentacion të duhur

Istanbul
Iraniani Mehran Karimi Nasseri, i cili u bë frymëzim për filmin e regjisorit të njohur Steven Spielberg, “The Terminal”, me 18 vitet e kaluara në një aeroport francez, ka ndërruar jetë të shtunën, njoftuan mediat, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nasseri u shpall i vdekur nga ekipi mjekësor i aeroportit në Terminalin 2F dhe ka vdekur për shkaqe natyrore”, raportoi CNN të shtunën, duke cituar një zëdhënës të aeroportit Charles de Gaulle në Paris.
Nasseri, i lindur në vitin 1945 në një familje irano-britanike, u bllokua në aeroportin e Parisit Charles de Gaulle në vitin 1988 pasi nuk kishte dokumentacion të duhur.
Nasseri, i njohur edhe me pseudonimin Sir Alfred, jetoi në aeroport deri në vitin 2006 kur u shtrua në spital. Pasi u lirua nga spitali, ai u vendos në një strehë në Paris nga viti 2008.
Ai jetoi sërish në aeroport javët e fundit deri në vdekjen e tij të shtunën në mesditë, shtuan mediat, duke theksuar se Nasseri gjithmonë e mbante bagazhin pranë tij, duke lexuar dhe duke mbajtur shënime në ditarin e tij gjatë kohës që ishte në aeroport.
Situata e Nasseri-t frymëzoi filmin e Steven Spielberg të vitit 2004 “The Terminal” me Tom Hanks në rolin e Viktor Navorski-t, një burrë nga Evropa Lindore i bllokuar në një aeroport të New York-ut, pasi një grusht shteti ushtarak në vendin e tij të lindjes e pengonte atë të kthehet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.