Kulturë

"Gastronomia ka një forcë të madhe për të bashkuar njerëzit"

Ayşegül Erdal Yörük: "Kuzhina turke e ditëve të sotme ka konkretizuar pasurinë dhe larminë e qytetërimit tonë dhe në të njëjtën kohë është edhe trashëgimtare e periudhës osmane. Ajo ka ndikuar edhe kuzhinat ballkanike"

Fatjon Cuka  | 24.01.2020 - Përdıtësım : 27.01.2020
"Gastronomia ka një forcë të madhe për të bashkuar njerëzit" Foto: Olsı Shehu/AA

Tiranë

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me Grupin e Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Turqi (ATTSO), me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës të Turqisë, në Tiranë u organizua aktiviteti për prezantimin e ëmbëlsirave dhe gatimeve të tjera tradicionale turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e aktivitetit të organizuar në formën e një punëtorie me pjesëmarrjen e mastershefes së njohur turke, Ebru Baybara Demir, ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, personalitete nga fusha të ndryshme dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të cilët shijuan edhe gatimet tradicionale. 

Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, në fjalën e saj përshëndetëse tha se janë mbledhur për të prezantuar ëmbëlsirat tradicionale, të cilat, sipas saj "zënë një vend të rëndësishëm në qytetërimin tonë të hershëm dhe cilësohen si një pjesë e pandarë e kulturës tonë të gatimit".

"Ne frymëzohemi nga puna udhërrëfyese e zonjës Emine Erdoğan, bashkëshortes së presidentit tonë për t’i shtrirë vlerat kulturore të Anadollit në një rrafsh global. Edhe ne, në kuadrin e veprimtarive tona në fushën e diplomacisë gastronomike vazhdojmë t’u kujtojmë dhe të ndajmë me motrat dhe vëllezërit e tanë shqiptarë kulturën dhe vlerat tona të përbashkëta në gastronomi", tha Ayşegül Erdal Yörük. 

Ajo u shpreh më tej se Ebru Baybara Demir nuk është vetëm një mastershefe e famshme, në të njëjtën kohë, sipas saj, ajo është një nismëtare e palodhur që përpiqet për të vënë në jetë edhe projektet me përgjegjësi të rëndësishme sociale, për të mbështetur veçanërisht përdorimin e farërave vendase, sigurinë ushqimore dhe gratë turke në gjendje jo të mirë. 

"Kuzhina turke e ditëve të sotme ka konkretizuar pasurinë dhe larminë e qytetërimit tonë dhe në të njëjtën kohë është edhe trashëgimtare e periudhës osmane. Ajo ka ndikuar edhe kuzhinat ballkanike, ka pasur një shkëmbim reciprok kulturash. Ne kemi një pasuri në kulturën e përbashkët të kuzhinës edhe me Shqipërinë me të cilën historia jonë e përbashkët dhe lidhjet tona të miqësisë zgjaten deri në shekullin e 14-të", theksoi bashkëshortja ambasadorit turk në Tiranë. 

Ajo përmendi disa nga gatimet e përbashkëta mes dy vendeve, si tava e Elbasanit, mëlçitë shqiptare, byreku me presh, japrakët, bakllavaja, sheqerparja, revania, hallva, që sipas saj, "janë reflektime të shekujve që kemi kaluar së bashku në kuzhinat dhe sofrat tona të përditshme". 

- "Jam krenare që jam ambasadore për promovimin gatimeve turke" 

Mastershefja Ebru Baybara Demir, në fjalën e saj theksoi se është krenare që është një ambasadore për promovimin gatimeve turke. 

"Jam tepër e lumtur që ndodhem për herë të dytë mesh jush falë ftesës që ambasadori i Republikës së Turqisë më Tiranë, Murat Ahmet Yöruk dhe bashkëshortja e tij Ayşegül Erdal Yörük më bënë për të ardhur këtu në Shqipëri. Republika e Turqisë ka një kuzhinë tepër të pasur dhe mendojmë se gastronomia është një profesion i veçantë. Ne mendojmë që falë diplomacisë së gastronomisë vendet mund të njihen më mire me njëri-tjetrin, mund të jetojnë në paqe dhe qetësi me njeri-tjetrin. Ne besojmë se gastronomia ka një forcë të madhe për të përmirësuar njerëzit dhe për të bashkuar njerëzit", theksoi Demir. 

Mastershefja e njohur turke u shpreh se janë mbledhur në këtë aktivitet për të përgatitur disa receta të ëmbëlsirave turke të ardhura që nga koha osmane.

"Unë nuk jam thjesht vetëm një mastershefe, por unë me gastronominë që realizoj ndryshoj edhe jetën e njerëzve. Prej disa vitesh Turqia ka mikpritur rreth 4 milionë refugjatë sirianë. Turqia është vendi që pret numrin më të madh të refugjatëve në botë. Ne duke punuar me gratë refugjate të Sirisë përpiqemi që t’i integrojmë, zhvillojmë ato akoma më shumë. Ne mendojmë se me gatimet tona nuk ndikojmë vetëm në paqen sociale, në të njëjtën kohë ndikojmë edhe në paqen midis vendeve. Dëshirojmë të falënderojmë zonjën Emine Erdoğan, bashkëshorten e presidentit tonë, e cila është nismëtare për ne dhe për të tjerët që të njohim sa më shumë ushqimet tona, kuzhinën tonë në katër anët e botës", u shpreh Demir. 

Kryetarja e Grupit të Grave Sipërmarrëse të ATTSO, Ozlem Kal, në fjalën e saj tha se ATTSO që nga viti 2014 bën një punë të madhe dhe dobiprurëse, që sipas saj, synon të forcojë akoma më shumë dhe t’i ngrejë në një nivel më të lartë lidhjet e ngushta kulturore, ekonomike, strategjike, tregtare dhe sociale midis dy vendeve dhe dy popujve. Ajo shtoi se të gjithë anëtarët e dhomës synojnë krijimin e mundësive të reja për punësim.

Ndërsa Eni Xheko, zëvendëskryetare e Grupit të Grave Sipërmarrëse pranë ATTSO, u shpreh se aktiviteti përmban mesazhin e afrimitetit dhe të miqësisë mes dy vendeve. Duke folur veçanërisht për çajin turk, Xheko theksoi se "Një çaj turk nuk konsiderohet thjesht çaj, por është me tepër se kaq. Të konsumosh një çaj në Turqi është më modeste sesa të pish një çaj pas një drekimi në Angli apo në Japoni. Në Turqi nuk thonë mëngjes është gati, por thonë çaj është gati, pra aq i rëndësishëm është çaj në Turqi".

Gjatë aktivitetit u prezantuan disa nga ëmbëlsirat dhe gatimet e tjera tradicionale turke përgatitur nga Ebru Baybara Demir, si sheqerpare, llokumet, kazandibi dhe të tjera.

Gatimet tradicionale turke janë prezantuar shpesh gjatë viteve të fundit në Shqipëri, si në aktivitetin "Ditët e Turqisë", gjithashtu edhe në aktivitete të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın