Kulturë

Filmi kosovar "Zgjoi" u vlerësua me 3 çmime në Festivalin e Filmit Sundance

Filmi "Zgjoi" (Hive) mori Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e publikut dhe Çmimin për regjinë më të mirë

Zylfije Adem Jakupi  | 03.02.2021 - Përdıtësım : 04.02.2021
Filmi kosovar "Zgjoi" u vlerësua me 3 çmime në Festivalin e Filmit Sundance

Prishtinë

Filmi i regjisores kosovare, Blerta Basholli "Zgjoi" arriti sukses historik në Festivalin e Filmit Sundance në SHBA, duke fituar tri çmime të mëdha, transmeton Anadolu Agency (AA).

Filmi "Zgjoi" ("Hive"), me protagonist aktoren e famshme kosovare Yllka Gashi, u vlerësua me Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Publikut dhe Çmimin e Regjisorit më të Mirë. Filmi flet për gruan, Fahrije, e cila pasi humbi burrin e saj në luftë, lufton për të rindërtuar jetën e saj përkundër të gjitha vështirësive në Kosovën patriarkale.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, i është gëzuar suksesit të filmit artistik “Zgjoi” (“Hive”), i cili mbrëmë shkroi historinë duke fituar tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Ministrja Haradinja-Stublla tha se suksesi i filmit “Zgjoi” është ndër arritjet më të mëdha ndërkombëtare të kulturës dhe filmit kosovar. “Zgjoi" është e vërteta e Kosovës, një histori prekëse e grave të Krushës së Madhe që rindërtuan jetën e tyre mbi dhimbjen. Këtë histori të vërtetë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, bota edhe pas 21 vitesh ka nevojë ta dëgjojë e ta rikujtojë”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka falënderuar komunitetin e jashtëzakonshëm artistik e kulturor të Republikës së Kosovës, të cilët gjithmonë arrijnë të promovojnë Kosovën në botë, në të shumtën e herave me vetiniciativë. "Veçanërisht e përgëzoj drejtoreshën Blerta Basholli dhe ekipin e saj fantastik për arritjen e mbrëmshme", tha ajo.

"Zgjoi" është një bashkëproduksion filmik ndërmjet Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.