Kulturë

"Shtëpia me Gjethe", muzeu unik i përgjimeve gjatë komunizmit në Shqipëri

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” është hapur zyrtarisht më 23 maj 2017 në kryeqytetin Tiranë dhe ai i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist në Shqipëri

25.01.2019
"Shtëpia me Gjethe", muzeu unik i përgjimeve gjatë komunizmit në Shqipëri ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

TIRANË (AA) - Fatjon CUKA

E shkuara komuniste në Shqipëri është ende e mbushur me mistere të shumta, ndërsa në vitet e fundit institucionet në vend kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për të nxjerrë në pah aspekte të panjohura për publikun nga periudha e sistemit diktatorial, përfshirë edhe ngritjen e objekteve të veçanta muzeale apo hapjen e dokumenteve sekrete të regjimit komunist.

Pjesë e këtyre nismave është Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i cili është hapur zyrtarisht më 23 maj 2017 në kryeqytetin Tiranë dhe që i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist në Shqipëri.

“Shtëpia me Gjethe”, e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj, është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, i vendosur pranë qendrës së Tiranës, ndërsa vazhdon të tërheqë turistë vendas dhe të huaj, të cilët dëshirojnë të zbulojnë një nga anët më të errëta të regjimit komunist në Shqipëri, sistemin e përgjimeve dhe përndjekjes ndaj qytetarëve.

Brenda ambienteve të godinës së muzeut, e cila gjatë diktaturës ka shërbyer për ruajtjen e pajisjeve dhe dokumenteve që përdoreshin për përgjimit ndaj qytetarëve, ambasadave të huaja dhe zyrave të ndryshme shtetërore, aktualisht janë të ekspozuar rreth 2.000 mijë objekte, të ndarë në kategori të ndryshme.

Çdo vizitor njihet nga afër me pajisjet e modeleve të ndryshme që u përdorën nga regjimi komunist për përgjime, si miniaparate, kamera, regjistrues, video-projektorë, pajisje incizimi, aparate për përgjimin e telefonatave, regjistrues dhe riprodhues audio, detektor transmetuesish, komandues magnetofoni, sistem kontrolli audio-video, pajisje për transkriptimin e incizimeve, aparat fotografik me mikrokasetë, teleobjektiv vrojtimi, dylbi ushtarake profesionale, si dhe pajisje të tjera.

Duke i vendosur pajisjet përgjuese edhe në banesat e tyre, të gjitha këto lloje pajisjesh u përdorën nga zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e ish-shërbimit sekret komunist (Drejtoria e Ish-Sigurimit të Shtetit) për të përgjuar dhe përndjekur personat që konsideroheshin kundërshtarë të regjimit, me qëllim dënimin e tyre.

- Nga një godinë që prodhonte mister dhe frikë në një vend i hapur për publikun

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe, Etleva Demollari, duke folur për Anadolu Agency (AA) tregon se në dokumentet e ish-Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit ky objekt figuron me emrin e koduar "Gjethi" dhe për këtë arsye u ruajt edhe për kohën që u shndërrua në muze. Sipas saj, vetë godina është objekti më i çmuar i këtij muzeu, sepse është ndërtuar në vitin 1931 për të qenë një klinikë obstetrike-gjinekologjike dhe mendohet se ka funksionuar si e tillë deri në 1944.

"Periudha e regjimit komunist njihet shumë pak, sidomos nga brezi i ri. Ishte e nevojshme që për brezin e ri të ketë një vend për kujtesën, për të kaluarën. Duhet të zbulohen të vërtetat, duke treguar atë që ka ndodhur. Është një vend që prodhonte mister dhe frikë dhe që sot është i hapur për publikun, ku çdo sipërfaqe e tij i flet publikut", shprehet Demollari.

Midis viteve 1944-1991 kjo godinë ka qenë selia qendrore e përgjimeve të ish-shërbimit sekret të Shqipërisë, vendi nga ku bëheshin përgjimet telefonike të ambasadave, hoteleve, zyrave, shtëpive dhe kontrolli i letërkëmbimeve postare të personave të dyshuar nga regjimi komunist.

"Nga jashtë kishte pamjen e një vile normale të mbuluar nga bima kacavjerrëse dhe e mbuluar nga gjethet dhe nga brenda bëheshin këto veprimtari. Objektet më kryesore janë transmetuesit apo ato që quhen ndryshe në gjuhën popullore çimkat, prodhuar nga vitet 70-80, që përdoreshin për t'u futur në mure nëpër shtëpi, hotele dhe zyra. Ndërsa tipi tjetër i transmetuesve është mikortransmetuesi i lëvizshëm", tregon më tej drejtoresha e këtij muzeu, Demollari.

Pajisjet përgjuese fillimisht janë importuar nga Bashkimi Sovjetik, Kina, Gjermania Lindore apo Perëndimore, Austria dhe Zvicra, ndërsa përveç atyre të importuara ka dhe pajisje të prodhuara nga inxhinierët shqiptarë në laboratorin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, gjatë periudhës së regjimit komunist.

- Sistemi i përgjimeve gjatë regjimit komunist shkaktoi pasoja të rënda

Përveç pajisjeve të përgjimit, regjimi përdorte edhe ato që quhen "mikrofonat e gjallë" apo bashkëpunëtorët, ku dosjet e këtyre personave janë të ruajtura edhe në këtë muze, që përndiqnin qytetarët apo vendosnin nëpër banesa pajisje përgjimi. Muzeu "Gjethi" është muzeu i parë që ekspozon dosje të tilla, duke i dhënë rëndësi edhe pasojave që kishin përgjimet dhe kontrollet tek njerëzit, sidomos me arrestimet dhe internimet e atyre që konsiderohesh kundërshtarë të regjimit komunist.

Shumica e objekteve muzeale janë pajisje përgjimi të cilat janë gjetur brenda në këtë godinë dhe një pjesë tjetër janë marrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga arkivi i Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH).

Përgjimet realizoheshin në disa forma, si me vendosjen e pajisjeve përgjuese në shtëpi, në zyrë dhe në ambiente të punës, me atë të regjistruesve në ambiente të hapura, me anë të fotografimit, ndërsa në raste të ndëshkimit për arsye politike kundërshtarët e regjimit merrnin dënimet nga më të rëndat, që nga dënimi me vdekje, burgim i përjetshëm, 25 vite burgim, e deri te internimi për shumë vite në kampe.

Sistemi i përgjimeve gjatë regjimit komunist (1944-1991) shkaktoi edhe pasoja të rënda në jetën e qytetarëve shqiptarë, sidomos për kundërshtarët e regjimit, ku me mijëra u ekzekutuan me gjyq ose pa gjyq, u dënuan dhe u internuan në kampe internimi në vend, përfshirë edhe intelektualë, artistë, studiues, por edhe zyrtarë të lartë të regjimit.

Pasoja të këtyre përgjimeve ishin edhe torturat e ndryshme për të arrestuarit apo të burgosurit, si shkaktimi i urisë deri në vdekje, rrahje me dru dhe kamxhik për shkaktimin e plagëve, përdorimi i rrymës elektrike në trup, hedhja nga lartësia, si dhe tortura të tjera.

Përveç pajisjeve, mbishkrimet e vendosura në mure apo objekte të tjera në muze japin mesazhet që e kaluara komuniste nuk duhet të harrohet, por të mësohet e vërteta për çdo aspekt të jetës dhe veprimtarisë së institucioneve të regjimit që udhëhoqi ish-diktatori Enver Hoxha.

Prioritet i punës së këtij muzeu të veçantë është brezi i ri, por në fokus janë edhe turistët e huaj dhe vendas, ku gjatë vitit 2018, 60 për qind e vizitorëve janë të huaj. Vizitorët janë kryesisht nga Franca, Italia, SHBA, Gjermania, Holanda dhe vende të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), gjatë regjimit komunist në Shqipëri rezulton se 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë janë burgosur si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın