Kulturë

Ministri Ademi shpalos proceset e nisura në sferën e kulturës

Ministri Ademi tha se në pjesën e investimeve kanë realizuar më shumë sanime, rikonstruime dhe adaptime të shumë godinave ekzistuese me karakter kombëtar anembanë vendit

Bekim Laci   | 05.07.2018
Ministri Ademi shpalos proceset e nisura në sferën e kulturës

Shkup

SHKUP (AA) - Ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, prezantoi sot situatën dhe proceset e nisura në sferën e kulturës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e parë për mediat që nga marrja e detyrës, Ademi tha se në periudhën e kaluar ka pasur kontakte dhe takime me të gjithë punonjësit e institucionit, por edhe me drejtorët e institucioneve nga sfera e kulturës.

Ministri Ademi tha se në pjesën e investimeve kanë realizuar më shumë sanime, rikonstruime dhe adaptime të shumë godinave ekzistuese me karakter kombëtar anembanë vendit, për të shtuar se shuma e investimeve kapitale për vitin 2018 është mbi 927 milionë denarë, me një normë të realizimit prej 42 për qind.

“Lidhur me aspektin normativ-ligjor, të drejtën e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura, kanë filluar ndryshime ligjore ndërsa do të përfundojnë edhe shumë projekte prioritare që dalin nga Strategjia Kombëtare për zhvillimin e kulturës 2018-2022. Për këtë, po punohet për marrëveshjen kolektive në kulturë, në projekt ligjin për interes publik në kulturë, ndryshimin e ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura si dhe për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Ademi për të shtuar se intensivisht po punojnë për decentralizimin në kulturë, si pjesë e strategjisë 2018-2022.

Ademi theksoi se në planin ndërkombëtar kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh me partnerë nga rajoni dhe më gjërë, ku veçoi themelimin e Qendrës Koordinuese për bashkëpunim me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe me Republikën Popullore të Kinës.

Ministri i Kulturës, vuri theksin tek pesë projekte kapitale nga qeveria e kaluar që kanë të bëjnë me librin, prej të cilave për katër është dorëzuar dokumentacioni i duhur dhe atë për 83 libra, por nga marsi i vitit 2017 Ministria e Kulturës nuk ka pranuar asnjë libër.

“Arsyeja qëndon në faktin se Ministria zotëron 770.000 tituj të botuar nga projektet kapitale nga qeveria e kaluar. Një pjesë e tyre ndodhen në bodrumet e Ministrisë por edhe në bodrume dhe objekte tjera ndihmëse të pesë institucioneve kulturore kombëtare”, tha Ademi i cili zgjidhjen e sheh tek shpërndarja e kopjeve të botuara.

Ademi u ndal edhe tek ruajtja e statusit të rajonit të Ohrit në përputhje me rekomandimet e qendrës së UNESCO-s, ku mes tjerash përmendi revizionin e ligjit për menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe botërore të rajonit, dhe përgatitjet për revizionin e planit të veprimit.

Për sa i përket restaurimit të minares së xhamisë së Ali Pashës në Ohër, për të cilën më herët një grup i punës i Ministrisë rekomandoi, që Ministria të parashtrojë një kërkesë në UNESCO për të marrë një mendim profesional, nëse rikonstruksioni i objektit me dimensione të tilla është në përputhje me standardet për mbrojtjen e qytetit, Ademi tha se asnjë objekt i financuar nga dikasteri i tij nuk guxon të jetë objekt për acarimin e marrëdhënieve mes bashkësive.

Ai tha se në këtë drejtim nuk ka biseduar me UNESCO-n, por vetëm me drejtoren e Drejtorisë për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe me autoritetet fetare në mënyrë që zgjidhja të kërkohet në këtë frymë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın