Drugdhendja dhe gurgdhendja në Gjirokastër, traditat unike të qytetit të UNESCO-s
Anadolu Agency ka vizituar Qendrën e Artizanatit, duke shikuar nga afër punimet artizanale

GJIROKASTËR
GJIROKASTËR (AA) - I njohur më shumë si “Qyteti i Gurtë”, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, qytet ky i vendosur në jug të vendit. Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman. Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.
Sapo ndalon në hyrje të qytetit fillon ngadalë të njihesh me historinë dhe kulturën e tij. Qyteti është i vendosur mbi disa kodra dhe lugina nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri, të cilat duhet ti gjesh nëpër rrugët karakteristike të kalldrëmta. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuara me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtrit gurgdhendës të qytetit. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit osman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta.
Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë, që njihet edhe si bërthama e parë e vendbanimit dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat dhe Pazari i Vjetër.
Teksa ngjitesh rrugës së kalldrëmtë për në Kala, vazhdojnë të dalin në pah shtëpitë karakteristike të gjirokastriteve. Kalaja duket sikur e ka “pushtuar” qytetin për shkak se nga aty mund të shikosh çdo pjesë e lagje të tij, të njihesh me bukuritë natyre që rrethojnë qytetin e gurtë.
Po çfarë mund të vizitohet dhe shikohet në Kala? Ky monument përmban edhe pasuri të tjera historike, që gjenden brenda mureve të Kalasë. Ato janë: Tyrbja e Bektashinjve, Galeria e Topave, Muzeu Kombëtar i Armeve, Burgu, avioni amerikan dhe skena e festivaleve folklorike. Kalaja e qytetit të gurtë është edhe simboli i Festivale Folklorike të Trevave shqiptare. Në kështjellën që mban emrin Argjiro, mblidhen çdo katër vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia dhe treva ku flitet shqip në festivale të folklorit shqiptar.
Por jehona e shtëpive karakteristike gjirokastrite është e përhapur jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por edhe në botë, pasi në këtë qytet ndodhet edhe shtëpia e lindjes së diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit Ismail Kadare.
Në Qendrën e Artizanatit, tregtohen artikuj të zejtarisë së vërtetë shqiptare. Kjo qendër u hap në maj të vitit 2007 nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike në bashkëpunim me Konfederatën e Artizanatit Shqiptar me synimin mbrojtjen dhe zhvillimin e traditave lokale të artizanatit dhe zejtarisë.
Po kush janë disa nga artizanët më të njohur në Gjirokastër. Kush janë punimet artistike të tyre? Anadolu Agency ka vizituar Qendrën e Artizanatit, duke shikuar nga afër punimet artizanale. Personazhet e përditshme të artizanatit shqiptar në Gjirokastër janë edhe Anastas Petridhi, drugdhendës dhe Muhedin Makriu, gurgdhendës dhe hekurpunues.
Anastas Petridhi është një drugdhendës prej 30 vitesh në Gjirokastër. Ai tregon se që kur ishte fëmijë kishte një pasion të merrej me drugdhendjen, për shkak edhe të ambientit ku jetonin, të rrethuar nga shtëpi karakteristike, mjeshtërit e vjetër të përpunimit të drurit, të cilët ndikuan tek ai për tu bërë në të ardhmen edhe ai një mjeshtër i vërtetë në drugdhendjes.
“Me plotësimin 10 vjet të Gjirokastrës në UNESCO edhe un mbusha 30 vjet në këtë profesion. Këtë punë si fillim e kam nisur për dëshirë pasi jemi rritur në strehat e shtëpive gjirokastrite dhe shikonim punimet e mjeshtreve të vjetër gjirokastrite në këto shtëpitë karakteristike që janë edhe monument kulture. Këtu erdhi kjo dëshira për ta mësuar këtë profesion. Kam punuar në ish-ndërmarrjen shtetërore artistike të Gjirokastrës në të cilën ishin tre reparte, ku një nga këto reparte ishte ai i drurit. Aty un mësova profesionin e drugdhendësit nga ustallarët dhe mjeshtrit e vjetër. Me ndërrimin e sistemit si shumica e të rinjve në atë kohë edhe un emigrova në Greqi. Aty morëm një përvojë tjetër pune. Kam 12 vjet që jam kthyer nga emigrimi dhe kam hapur këtë dyqan të vogël që është shitore dhe punishte njëkohësisht”- tregon Anastasi për AA.
Ai gjithashtu tregon se vizitorët janë nga më të ndryshmit dhe nga gjithë bota dhe po ashtu edhe kërkesat e tyre janë nga më të ndryshmet. Shqiptarët që janë në diasporë shprehet Petridhi janë shumë të interesuar për simbolet kombëtare. “Unë i realizoj punimet e drurit në përmasa të ndryshme. Kjo edhe për lehtësi transporti për vizitorët. Ata mund të shëtisin në gjithë Shqipërinë ose në të gjithë Ballkanin. Një tjetër produkt që shkon shumë dhe që un e kam bërë në përmasa të ndryshme është Kalaja e Gjirokastrës e gdhendur. Në punën time një nga gjërat që bëj më shumë kujdes është të bëj produktet e mia artizanale edhe funksionale. Jo thjesht dekorative, por të kenë edhe një funksion të caktuar”.
Por rrugët e kalldrëmta të qytetit të Gjirokastrës janë të mbushura me shumë artizanë, ku bëjnë pjesë edhe gurgdhendësit, hekurpunuesit, qëndistaret, etj. Muhedin Makriu ka punuar si gurgdhendës për 25 vjet dhe pasioni i tij për të punuar me gurin dhe aftësitë e tij artistike, shumë shpejt e kthyen atë në mjeshtër të gdhendjes së gurit. Ai tregon për AA që këtë profesion e ka të trashëguar nga paraardhësit e tij, gjyshi dhe babai. Pas rënies së komunizmit ai punoi për disa vite në Janinë. Muhedini tashmë 67 vjeç, e kalon kohën e tij të lirë duke punuar me gdhendjen e gurit, produkte të cilat janë të pranishme në Qendrën e Artizanatit.
Ai tregon se ka punuar në uzinën metalike në seksionin e stampave ku bëheshin kallupë për lugë, pirunë, thika, çadrat, zinxhirët dhe të gjithë artikujt për përdorim familjarë. “Në atë kohë dallohesha dhe isha një nga më të shquarit si novator dhe shpikës, si dhe kisha një talent dhe durim të jashtëzakonshëm. Në vitin 1975 jam zgjedhur si punëtor i dalluar dhe si rrjedhojë un gdhenda veten time në një pllakë bronzi. Pas ndërrimit të sistemit, 25 vjet un kam punuar me gurë. Disa vite vajta në Greqi dhe më pas më thirrën këtu për të mbajtur trashëgiminë e Gjirokastrës, qytetit të gurtë gjallë dhe vazhdoj akoma duke punuar. Pavarësisht nga mosha, kam vullnetin dhe dëshirën dhe them se do të vdes mbi gurë”- shprehet Makriu.
Punimet që pëlqehen më shumë sipas tij janë shtëpitë karakteristike gjirokastrite dhe figura historike si figurën e Enver Hoxhës, Çerçiz Topulli dhe Ismail Qemalit. “Ky profesion do një vullnet, do një zemër të fortë dhe dashuri për punën. Duke pasur këtë këmbëngulje dhe dashurinë e gurit unë punoj nga me orë të tëra”- përfundon rrëfimin e tij njëri prej artizanëve të njohur të qytetit të Gjirokastrës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.