Turqia, KUDSI - VIJA E KUQE E MUSLIMANËVE

"Turqia do të vazhdojë ta mbështesë kauzën e drejtë të palestinezëve"

"Turqia nuk është e mundur të pranojë asnjë plan që nuk e ka pëlqimin e vëllezërve palestinezë dhe shkel të drejtën ndërkombëtare", ka thënë zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın

Selen Temizer   | 05.02.2020
"Turqia do të vazhdojë ta mbështesë kauzën e drejtë të palestinezëve"

Ankara

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se Turqia do të vazhdojë të jetë në anën e palestinezëve në kauzën e tyre të drejtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë deklaratë Kalın e bëri në një punëtori në Këshillin e Sigurisë dhe Politikave të Jashtme në Ankara të titilluar "E ardhmja e Palestinës", ku morën pjesë anëtarë të këshillit, përfaqësues të institucioneve, profesorë, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe ekspertë.

Gjatë takimit, i ashtuquajturi plan i paqes i shpalosur së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, është quajtur "projekt aneksimi", me të cilin synohet legjitimimi i planit për vendosjen e territoreve palestineze brend Izraelit, thuhet në një njoftim nga Zyra e Zëdhënësit të Presidencës.

"Çështja e Palestinës nuk është çështje territori, por e drejtësisë dhe ndërgjegjes. Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me përgjegjësinë që i takon në korniza të drejtësisë, duke pasur parasysh se kjo çështje nuk i përket vetëm rajonit, por është çështje e përbashkët e gjithë njerëzimit", është shprehur zëdhënësi i presidencës turke Kalın.

"Turqia nuk është e mundur të pranojë asnjë plan që nuk e ka pëlqimin e vëllezërve palestinezë dhe shkel të drejtën ndërkombëtare. Republika e Turqisë, sikurse gjithmonë, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë pranë vëllezërve palestinezë në kauzën e tyre të drejtë", ka thënë Kalın.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet "i pandarë" i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si "Marrëveshja e Shekullit", SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është "shansi i fundit" për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın