Referendumi në Turqi, votuan mbi 1.2 milionë qytetarë turq që jetojnë jashtë vendit
Komisioni i Lartë Zgjedhor i Republikës së Turqisë (YSK) ka deklaruar se kanë votuar më shumë se 1.2 milionë qytetarë turq që jetojnë jashtë vendit

Stamboll
STAMBOLL (AA) - Dje ka përfunduar votimi për diasporën turke në referendumin mbi ndryshimet kushtetuese, ndërsa Komisioni i Lartë Zgjedhor i Republikës së Turqisë (YSK) ka deklaruar se kanë votuar më shumë se 1.2 milionë qytetarë turq që jetojnë jashtë vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumi për ndryshimet kushtetuese dhe futjen e sistemit presidencial të qeverisjes në Turqi do të mbahet më 16 prill, kurse diaspora turke në 57 shtete ka votuar votuar në ditët e kaluara në një total prej 120 vendvotimeve që ishin hapur në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në vende të botës.
Afër 70.000 shtetas turq që jetojnë jashtë vendit kanë votuar deri tani dhe në vendvotime në vendkalimet kufitare dhe aeroporte, ndërsa këto vendvotime do të ngelin të hapura deri në mbylljen e vendvotimeve në ditën e referendumit në Turqi.
Afër 2.9 milionë qytetarë turq jashtë vendit janë të regjistruar dhe kanë të drejtë vote. Ky është procesi i katërt zgjedhor në të cilin është përfshirë drejtpërdrejt edhe diaspora turke.
Fundjavën që kaloi votuan dhe qytetarët turq që jetojnë në rajon, duke përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Diaspora për herë të parë pati mundësinë për të votuar në zgjedhjet që u mbajtën në Turqi në vitin 2014. Pjesëmarrja e atëhershme e votuesve ishte vetëm 8 përqind, kurse më pas u regjistrua trend i vazhdueshëm në rritje.
Më së shumti shtetas turq, më shumë se 600.000, kanë votuar në ditët e kaluara në qendrat e votimit në Gjermani, ku dhe jeton komuniteti më i madh i turqve, teksa në Francë kanë votuar 123.000 votues.
Në SHBA kanë votuar 35.000 turq, ose 35 përqind e të regjistruarve, shifër kjo që paraqet rekord të diasporës turke në Shtetet e Bashkuara.
Diaspora turke ditën e djeshme ka votuar edhe në Kazakistan, Australi, Arabinë Saudite, Gjeorgji si në shumë vende të Afrikës.
Votimit të diasporës turke në Evropë i paraprinë tensione mes Turqisë dhe disa vendeve të cilat ndaluan mbajtjen e mitingjeve para referendumit.
Në pengimin e bartësve të fushatës për ndryshime kushtetuese në Turqi për të mbajtur tubime para referendumit, spikatën Holanda, Gjermania dhe Austria, shtete këto në të cilat shumë politikanë kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre dhe kanë mbështetur fushatën kundër reformave kushtetuese në Turqi.
Incidenti më i madh ndodhi në Holandë, ku autoritetet lokale së pari penguan vizitën e shefit të diplomacisë turke Mevlüt Çavuşoğlu, kurse më pas deportuan për në Gjermani ministren turke të Politikës Sociale Fatma Betül Kaya dhe penguan atë të vizitojë Konsullatën turke në Roterdam.
Autoritetet e vendeve evropiane që penguan fjalimet parazgjedhore pro ndryshimeve kushtetuese në Turqi, nga ana kanë lejuar mbajtjen e mitingjeve të opozitës turke, e cila kundërshton këto ndryshime.
Ndryshimet e propozuara kushtetuese në Turqi parashohin rritjen e kompetencave të presidentit të vendit. Parlamenti do të rrisë numrin e deputetëve nga 550 në 600, ndërsa për zgjedhjet parlamentare do të mund të kandidojnë të gjithë qytetarët e Turqisë në moshën mbi 18 vjeç. Deri më tani, kandidatët ka mundur të jetë personi i cili ka mbushur 25 vjeç.
Presidenti do të jetë në gjendje të ruajë lidhjet me partinë politike amë dhe parashihet që zgjedhjet e para presidenciale në bazë të ndryshimeve të reja të mbahen në nëntor të vitit 2019. Mandati i presidentit do të jetë pesë vite, kurse individi i njëjtë do të jetë në gjendje të kryejë këtë funksion më së shumti dy mandate.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.