Përkujtohet këngëtari i muzikës popullore turke, Neşet Ertaş
Këngëtari i muzikës popullore turke, Neşet Ertaş në Anadoll filloi të njihej si “halk ozanı” (poet i popullit), ndërkaq pas asaj kohe vazhdoi jetën e tij artistike duke nxjerrë disqe e kaseta me këngë

Kırşehir
SERKAN GÜNER
KIRŞEHİR (AA) - Këngëtari i muzikës popullore turke, Neşet Ertaş, i cili njihet me nofkën “Plektrumi i Stepës” (Bozkırın Tezenesi) dhe i cili në këngët e tij gjithmonë përdorte pseudonimin “Garip” (i mjerë/i vetmuar/i çuditshëm), edhe pse kanë kaluar 6 vite nga vdekja e tij me veprat artistike ende vazhdon të 'pushtojë' zemrat e qytetarëve të Anadollit, shkruan Anadolu Agency (AA).
Mjeshtri i bozlakut (një lloj kënge popullore turke nga Anadolli) në 6 vjetorin e vdekjes së tij po përkujtohet me programe të ndryshme. Ai ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2012 në qytetin Izmir të Turqisë, ndërkaq ishte varrosur një ditë më pas në qytetin e tij të lindjes Kırşehir, ku në ceremoninë e varrimit mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Ertaş është një nga përfaqësuesit e fundit të kulturës së Anadollit Qendror. Emri i tij mbetet gjallë në Qendrën Kulturo-Artistike në Kırşehir, Shtëpinë e Kulturës Gönül Sultanları dhe në institucione tjera të shumta. Varri i mjeshtrit të bozlakut vizitohet nga persona të shumtë si nga brenda ashtu edhe jashtë Turqisë.
Jeta e Neşet Ertaş-it
Legjenda e muzikës popullore turke, mjeshtri i sazit apo bakllamas (një instrument me tela), i cili me emërimin e shkrimtarit Yaşar Kemal njihet si “Plektrumi i Stepës”, ka lindur në vitin 1938 në qarkun Çiçekdağı të qytetit Kırşehir, në qendër të Turqisë.
Kur Ertaş ka lindur, mbi barkun e tij, ashtu siç ka qenë traditë, është lënë bakllama e babait të tij. Ertaş hyri në botën e artit muzikor që kur ishte fëmijë. Ai luante e këndonte këngë me bakllama në dasma ku shkonte së bashku me babanë e tij Muharrem Ertaş, i cili ishte përfaqësues i atëhershëm i kulturës Abdal. (Abdall është emër i gradës më të lartë shpirtërore e cila shihet në format më radikale të sufizmit turk. Një abdall është personi i cili ka hequr dorë nga gjithçka tjetër në botë, përveç Allahut. Personi i cili ka arritur në gradën Abdall mund të arrijë në njohjen absolute dhe të drejtpërdrejt të së vërtetës. Si një personalitet i shoqërisë, abdall është një autoritet i cili zgjat dorën e ndihmës për të dobëtit, shtypurit dhe personat nën presion, si dhe ai i cili lufton kundër imoralitetit në shoqëri. Abdallët, të cilët më shumë janë të përhapur në mesin e Turkmenëve nomadë, kanë shprehur pakënaqësitë e popullit ndaj autoritetit të vendosur shtetëror selxhukë apo osmanë, si dhe kanë qenë fillestarë të lëvizjeve të ndryshme të kryengritjes).
Ertaş ashtu si çdo fëmijë i përfaqësuesit të kulturës Abdal, kishte një interesim për muzikën që nga lindja. Instrumenti i parë i tij ishte një lodër bakllama, të cilën nëna e tij Döne Ertaş e kishte bërë duke vendosur tela në një tokmak të gjerë prej dërrase që përdorej për larjen e rrobave. Ertaş nuk kishte mundur të shkollohej, por kishte mësuar shkrim e lexim nga vëllai i tij i madh. Ai që nga mosha fëmijërore ka zhvilluar veten duke i rënë bakllamas.
Ai 8 vite ka shkuar nëpër dasma të qarqeve të Kırşehirit dhe fshatrave të qytetit Kayseri dhe ashtu siç ka thënë edhe vet “Ka shtuar gëzim nëpër dasma”. Më pas në qytetin Kırşehir së bashku me muzicientët e tjerë të aftë ka themeluar Komunitetin e Abdallëve dhe ka vazhduar që t’i bie bakllamas nëpër dasma.
Neşet Ertaş në fund të vitit 1957 shkoi në Stamboll dhe së bashku me babanë bëri incizimin për këngën e parë të tij. Ertaş në Anadoll filloi të njihej si “halk ozanı” (poet i popullit), ndërkaq pas asaj kohe vazhdoi jetën e tij artistike duke nxjerrë disqe e kaseta me këngë. Pasi që punoi për 2 vite në Stamboll, ai u vendos në Ankara dhe filloi të performojë në këtë qytet.
Pasi kreu shërbimin ushtarak u martua me një vajzë të quajtur Leyla me të cilën pati 3 fëmijë.
Për shkak të paralizës në gishtërinjtë e tij, Neşet Ertaş në vitin 1978 shkoi në Gjermani dhe për një kohë u trajtua në këtë vend. Për këtë arsye ai bëri një pauzë në jetën e tij artistike, ndërkaq asaj iu rikthye me koncertin e mbajur në vitin 2000 në Stamboll.
Mjeshtri i bozlakut Neşet Ertaş është nderuar nga UNESCO me çmimin “Thesari i gjallë i njeriut”. Ertaşit gjatë periudhës së presidentit Süleyman Demirel i është propozuar titulli “Artisti i shtetit”, mirëpo ai e refuzoi këtë duke thënë se “Të gjithë janë artistë të këtij shteti”. Atij iu dha edhe doktoratë nderi nga Shkolla e Muzikës së Universitetit Teknik të Stambollit. Ai në veprat e tij artistike shprehte dhimbjet, mërzitjet dhe gëzimet e njerëzve të Anadollit.
Me qëllim të ruajtjes së vazhdimit të kulturës bozlak ka inicuar themelimin e Komunitetit të Mjeshtërve të Muzikës të Qytetit Kırşehir.
Ertaş ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2012 në spitalin ku po trajtohej.
Rektori i Universitetit të Arteve të Bukura në Ankara, Prof. Dr. Erol Parlak, ka shkruar një libër prej dy vëllimesh për jetën dhe veprat e Neşet Ertaş, i cili titullohet “Bilbili Garip Neşet Ertaş".
Neşet Ertaş, i cili në këngët dhe vjershat e tij ka përdorur gjithmonë pseudonimin “Garip”, ka 'pushtuar' zemrat e qytetarëve të Anadollit me këngët e tij si “Yalan Dünya" (Bota e Rremë), "Kırşehir'in Gülleri" (Trëndafilat e Kırşehirit), "Neredesin Sen" (Ku je ti), "Yaraladı Bu Aşk Beni" (Më lëndoi kjo jetë mua) e shumë të tjera.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.