Vendet e BE-së bien dakord për sanksione të reja kundër Rusisë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se vendet e BE-së kanë rënë dakord për paketën e 16-të të sanksioneve për shkak të përvjetorit të luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt

Bruksel
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë rënë dakord për sanksione të reja që ndalojnë importet e aluminit nga Rusia dhe synojnë "flotën hije" të Rusisë, transmeton Anadolu.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim nga llogaria e saj në median sociale, njoftoi se vendet e BE-së kanë rënë dakord për paketën e 16-të të sanksioneve të përgatitur për shkak të përvjetorit të luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt.
"Unë mirëpres marrëveshjen për paketën tonë të 16-të të sanksioneve", tha Von der Leyen, duke shtuar se me paketën BE-ja synon anijet në "flotën hije" të Rusisë dhe që të vendosë ndalime të reja importi dhe eksporti ndaj vendit.
Von der Leyen vuri në dukje se ata po marrin gjithashtu masa paraprake kundër përpjekjeve për të anashkaluar sanksionet dhe deklaroi se ata janë të vendosur të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Kremlinit.
Në kuadrin e sanksioneve të reja për të cilat nuk u ndanë të gjitha detajet, do të përfshijnë një ndalim në faza të importeve të produkteve të aluminit rus në BE dhe masa të ashpra që synojnë shitjet e naftës së papërpunuar.
Në listën e sanksioneve do të shtohen 73 cisterna të "flotës hije" që Rusia përdor për të eksportuar naftë bruto në kundërshtim me kufizimet, si dhe disa banka ruse dhe një numër të madh individësh dhe kompanish.
Deri më tani BE-ja për shkak të luftës ka zbatuar 15 paketa sanksionesh kundër Rusisë.
Në këtë kuadër Rusia është subjekt i një game të gjerë kufizimesh, duke përfshirë tregtinë, financat, energjinë, naftën dhe qymyrin, industrinë, teknologjinë, transportin, mallrat me përdorim të dyfishtë dhe produktet e luksit, si dhe arin dhe diamantet.
Sanksionet përfshijnë gjithashtu ndalimin e transportit të naftës së papërpunuar dhe disa produkteve të naftës nga Rusia në BE, përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT dhe pezullimin e aktiviteteve të shumë organizatave transmetuese.
Në listën e sanksioneve të BE-së ndodhen më shumë se 2000 individë dhe institucione.