Turqia bën thirrje për bashkëpunim më të thellë në energji midis shteteve turke
Ministri Bayraktar tha se shtetet turke ndajnë një gjeografi të gjerë që shtrihet në Azinë Qendrore, Kaukazin, Anadollin, Evropën, Detin e Zi, Ballkanin dhe Mesdheun
Ankara
Në Mbledhjen e Ministrave në kuadër të takimit të 5-të të Këshillit të Ministrave të Ministrave të Energjisë të Organizatës së Shteteve Turke (OTS), të mbajtur në Stamboll, ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar theksoi rëndësinë strategjike në rritje të bashkëpunimit energjetik midis vendeve turke, raporton Anadolu.
Bayraktar tha se shtetet turke ndajnë një gjeografi të gjerë që shtrihet në Azinë Qendrore, Kaukazin, Anadollin, Evropën, Detin e Zi, Ballkanin dhe Mesdheun me "një të kaluar të lavdishme, një të tashme të përbashkët dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen".
Duke vënë në dukje se shtetet anëtare të OTS-it posedojnë forca plotësuese në burimet dhe potencialin e energjisë, ai tha se "Një e dhjeta e rezervave të gazit natyror në botë ndodhet në këtë rajon".
"Shtetet anëtare të OTS-së posedojnë mbi 20 trilionë metra kub rezerva gazi natyror, 39 miliardë fuçi naftë dhe përbëjnë 40 për qind të prodhimit global të uraniumit", tha Bayraktar duke shtuar se këto burime e bëjnë të domosdoshme avancimin e bashkëpunimit në energji dhe miniera.
Sipas tij, bashkëpunimi energjetik do të nxisë ekonomitë e anëtarëve, mirëqenien dhe stabilitetin rajonal. "Deti Kaspik duhet të bashkojë, jo të ndajë botën turke", tha Bayraktar. Ai theksoi "Korridorin e Energjisë së Gjelbër", i cili synon të transmetojë energji elektrike të rinovueshme nga Azia Qendrore në perëndim të Kaspikut.
Turqia aktualisht bashkëpunon me Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë ndërsa Azerbajxhani, Kazakistani dhe Uzbekistani kanë nënshkruar një marrëveshje energjie, me Kirgistanin që kërkon të bashkohet. Bayraktar tha se këto përpjekje të fragmentuara duhet të bashkohen në mënyrë që energjia elektrike të arrijë së pari në Turqi dhe pastaj në Evropë.
Bayraktar vuri në dukje se objektivi është të forcohen lidhjet e energjisë në një shkallë makro, duke siguruar rrjedha të pandërprera të energjisë elektrike, gazit natyror dhe naftës nga lindja në perëndim, përfshirë punën në një rrjet të gjerë që shtrihet nga Kina në Evropë dhe nga kufiri rus në Qipro dhe Mesdhe.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi projektet që mund të "bashkojnë botën turke përtej Kaspikut", Bayraktar potencoi transmetimin e energjisë elektrike përtej Kaspikut dhe Gazsjellësin e Gazit Natyror Trans-Kaspik.
"Gazi turkmen duhet të arrijë në Turqi dhe Evropë përmes tubacionit në vend të shkëmbimeve. Energjia elektrike e rinovueshme nga anëtarët lindorë të OTS duhet të transmetohet përmes Azerbajxhanit në Turqi", shprehu Bayraktar.
Ai tha se gazsjellësi Trans-Kaspik, një vizion 30-vjeçar, po përparon drejt hapave konkretë për të furnizuar gaz natyror në Turqi. "Infrastruktura në anën perëndimore është gati dhe TANAP do të luajë rol kyç strategjik, do të forcojë shtetet turke dhe do të jetë ndryshues i lojës për tregjet e energjisë evropiane dhe mesdhetare", shtoi ai.
Duke theksuar rolin e Turqisë si korridor kyç për naftën e Azisë Qendrore si dhe për gazin natyror, Bayraktar tha se gazsjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC) siguron akses të drejtpërdrejtë në tregjet globale, duke furnizuar 600 mijë–700 mijë fuçi naftë në ditë përmes Ceyhan-it, të cilin ai e quajti "kritik për furnizimin e ekuilibruar global me naftë".
