Ekonomi

Turkish Airlines rifillon fluturimet për në Halep të Sirisë pas ndërprerjes 13-vjeçare

- Pas fillimit të fluturimeve për në Damask në janar, shtimi i fluturimeve drejt Halepit e çon në dy numrin e destinacioneve të Turkish Airlines në Siri.

Ahmet Karaahmet, Kenan Irtak  | 01.08.2025 - Përdıtësım : 01.08.2025
Turkish Airlines rifillon fluturimet për në Halep të Sirisë pas ndërprerjes 13-vjeçare

İdlib

STAMBOLL (AA) - Turkish Airlines (THY) ka rifilluar fluturimet drejt qytetit sirian Halep, pas një ndërprerjeje 13-vjeçare që nisi në prill të vitit 2012 për shkak të luftës civile, raporton Anadolu.

Fluturimi me numër “TK844” u ngrit në orën 08:10 me 145 pasagjerë dhe u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Halepit në orën 10:10.

Në aeroportin e Halepit u mbajt një ceremoni me prerje shiriti për të shënuar këtë ngjarje. Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Halep, Muammer Hakan Cengiz, shprehu kënaqësinë e tij për rifillimin e fluturimeve pas 13 vitesh.

“Halepi është porta e Sirisë drejt Turqisë dhe botës. Për Turqinë, Halepi është një nga kalimet më të rëndësishme drejt Sirisë dhe Lindjes së Mesme. Fakti që Turkish Airlines ka rifilluar fluturimet në një ditë kaq domethënëse është gëzim i veçantë për ne”, tha Cengiz.

Ai theksoi se me këtë fluturim janë rihapur edhe portat nga qielli drejt Halepit dhe se lidhjet historike shumë shekullore midis Turqisë dhe Halepit po rivendosen me këtë hap të ri të Turkish Airlines.

Drejtori Rajonal i Shitjeve i Turkish Airlines, Mahmut Yayla tha se Halepi është një nga qytetet më të rëndësishme të rajonit për nga pasuria historike dhe kulturore.

Ai theksoi se me rihapjen e këtij itinerari synohet forcimi i lidhjeve ekonomike dhe sociale midis dy vendeve, duke shtuar se Turkish Airlines po rrit opsionet e udhëtimit për pasagjerët dhe po përforcon lidhjet rajonale.

Drejtori i marrëdhënieve me publikun i Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Sirisë, Alaa El Sallal deklaroi se janë të lumtur të mirëpresin këtë fluturim të parë pas 13 vitesh dhe e cilësoi atë si një urë që lidh dy vende.

“Kjo nuk është thjesht ulje e një avioni, por një simbol i një ure të ndërtuar mes dy vendeve”, u shpreh Sallal, duke falënderuar linjën ajrore turke.


– Halepi bëhet destinacioni i dytë i Turkish Airlines në Siri

Pas fillimit të fluturimeve për në Damask në janar, shtimi i fluturimeve drejt Halepit e çon në dy numrin e destinacioneve të Turkish Airlines në Siri.

Fluturimet midis Aeroportit të Stambollit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Halepit do të zhvillohen tri herë në javë – të mërkurën, të premten dhe të dielën. Nga data 19 gusht, fluturimet do të rriten në pesë herë në javë ndërsa nga 1 shtatori do të zhvillohen çdo ditë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın