
Istanbul
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë finalizuar marrëveshje tregtare "të plotë dhe gjithëpërfshirëse", marrëveshja e parë e tillë që kur administrata e tij vendosi tarifa të gjera në fillim të këtij viti, transmeton Anadolu.
Trump e përshkroi marrëveshjen si një moment historik që do të "çimentojë marrëdhënien midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shumë vite që do të vijnë", duke theksuar aleancën historike midis dy kombeve.
Në një postim në "Truth Social", Trump theksoi rëndësinë e zgjedhjes së Mbretërisë së Bashkuar për njoftimin e parë të madh tregtar të administratës së tij mbi "lidhjet historike", duke vënë në dukje se "shumë marrëveshje të tjera, të cilat janë në faza serioze negociimi", do të pasojnë.
Ndërsa detajet specifike janë ende të panjohura, më shumë informacion pritet të publikohet gjatë një konference për media në Zyrën Ovale. Njoftimi vjen pas deklaratave të fundit të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të cilat treguan se administrata është aktualisht në negociata tregtare me 17 partnerë të mëdhenj tregtarë.
Bessent shprehu besim se shumica e këtyre marrëveshjeve mund të përfundojnë shpejt, duke thënë: "Do të habitem nëse nuk kemi më shumë se 80 për qind ose 90 për qind të tyre të përfunduara deri në fund të vitit". Ai shtoi se disa marrëveshje mund të shpallen "që këtë javë".