Starmer vizitë 4-ditore në Kinë, e para nga një kryeministër britanik që nga viti 2018
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun u tha sot gazetarëve në Pekin se Starmer do të mbërrijë në Kinë të mërkurën me ftesë të kryeministrit Li Qiang
Stamboll
Kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë vizitë zyrtare katër-ditore në Kinë këtë javë, i cili është udhëtimi i parë i tillë që nga viti 2018, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun u tha sot gazetarëve në Pekin se Starmer do të mbërrijë në Kinë të mërkurën me ftesë të kryeministrit Li Qiang.
"Mes një situate të trazuar ndërkombëtare dhe si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të ruajnë komunikimin dhe të forcojnë bashkëpunimin. Kjo i shërben paqes, stabilitetit dhe zhvillimit global", tha Guo.
Presidenti kinez Xi Jinping do të presë Starmerin për bisedime, përveç Li dhe ligjvënësit të lartë kinez Zhao Leji.
Starmer do të vizitojë gjithashtu Shangain, shtoi Guo.
Ky do të jetë udhëtimi i parë në Kinë nga një kryeministër britanik që nga viti 2018, kur ish-kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May vizitoi ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Nën qeverinë e Partisë Laburiste të Starmerit në pushtet që nga viti 2024, zyrtarë të lartë nga të dyja palët kanë vizituar njëri-tjetrin gjatë vitit të kaluar, përfshirë ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi dhe kancelaren e Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar, Rachel Reeves.
Udhëtimi i Starmerit vjen pasi qeveria e Partisë Laburiste pavarësisht kritikave, miratoi ndërtimin e një kompleksi të ri për ambasadën kineze në Londër. Ai merr rëndësi mes tensioneve mbi tarifat amerikane si dhe ambicieve të administratës së Trumpit për të blerë territorin danez të Grenlandës.
Mbretëria e Bashkuar ishte "vendi i parë i madh perëndimor që njohu" Pekinin në vitin 1950 dhe të dyja palët i përmirësuan lidhjet në një "partneritet strategjik gjithëpërfshirës" në maj 2004, sipas Ministrisë së Jashtme kineze.
Me një vëllim tregtar dypalësh vjetor prej 98.36 miliardë dollarësh në vitin 2024, të dyja palët krijuan mekanizma shkëmbimi të nivelit të lartë, përfshirë takimin vjetor të kryeministrave, dialogun ekonomik dhe financiar, dialogun strategjik dhe dialogun njerëz-me-njerëz të nivelit të lartë.
