
Istanbul
Shtëpia e Bardhë do të publikojë një plan buxhetor të shkurtuar duke propozuar 163 miliardë dollarë shkurtime shpenzimesh federale për vitin fiskal 2026, transmeton Anadolu.
Duke cituar një person të njohur me çështjen në fjalë, i cili foli në kushte anonimiteti, 'The Washington Post’ tha se propozimi i quajtur një "buxhet i dobët" kërkon shkurtime të konsiderueshme në shpenzimet diskrecionare jo-mbrojtëse, duke përjashtuar Pentagonin dhe programe të tilla si Sigurimet Shoqërore dhe Kujdesin Mjekësor.
I raportuar për herë të parë nga 'The Washington Post’, drafti i hershëm hedh themelet për një buxhet më të gjerë dhe në shkallë të plotë që do të zbulohet më vonë këtë muaj.
Shkurtimet e propozuara përfshijnë shkurtime të konsiderueshme në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, si dhe në Departamentin e Energjisë.
Buxheti gjithashtu kërkon shkurtimin e 5 miliardë dollarëve nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës, ndërprerjen e fondeve për Fondin Kombëtar për Demokraci dhe eliminimin e Institutit Amerikan të Paqes.
Këto propozime mbështesin përpjekjet e mëparshme të presidentit Donald Trump dhe sipërmarrësit miliarder Elon Musk, shërbimi i të cilët më herët këtë vit në DOGE pretendoi se kishte shkurtuar më shumë se 100 miliardë dollarë në shpenzime federale, lëvizje që shkaktuan beteja ligjore dhe që në disa raste u përmbysën nga vendimet e gjykatës.
Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, e udhëhequr nga Russell Vought, ka marrë një qëndrim më agresiv këtë vit, duke argumentuar për autoritetin e zgjeruar ekzekutiv mbi vendimet e shpenzimeve.
"Administrata duhet të ketë më shumë autoritet për të anuluar ose ri-drejtuar në mënyrë të njëanshme shpenzimet federale pa miratimin e Kongresit", tha Vought.
Pavarësisht shumicës republikane në të dy dhomat e Kongresit, rezistenca mbetet.
Ligjvënësit deri më tani kanë refuzuar të kodifikojnë pjesë të mëdha të shkurtimeve të Musk-ut, duke përfshirë shpërbërjen e menjëhershme të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në fillim të muajin shkurt.
Shkurtimi i propozuar prej 23 për qind i shpenzimeve diskrecionare jo-mbrojtëse pothuajse me siguri do të shkaktojë negociata të diskutueshme në Capitol Hill. Megjithatë, me aleatët e presidentit Trump që e kontrollojnë plotësisht agjendën legjislative, pjesë të rëndësishme të planit mund të kthehen ligj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.