Shitjet e kompanisë Tesla në Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani bien, të kompanisë kineze BYD rriten
Të dhënat më të fundit konfirmojnë një rënie rajonale të shitjeve të kompanisë së Elon Musk, e cila po përballet me konkurrencë të ashpër, veçanërisht nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike

Istanbul
Sipas Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve (SMMT) dhe autoritetit gjerman KBA, gjiganti amerikan i automjeteve elektrike Tesla gjatë muajit korrik pësoi një rënie të mprehtë të shitjeve në dy tregjet më të mëdha të automobila ve në Evropë, transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave të publikuara, regjistrimet e automjeteve të reja ranë me rreth 60 për qind në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbi 55,1 për qind në Gjermani.
Kompania shiti vetëm 987 njësi në Mbretërinë e Bashkuar, nga rreth 2.462 që kishte shitur një vit më parë, si dhe 1.110 njësi në Gjermani.
Ndërkohë, gjiganti kinez i automjeteve elektrike BYD në korrik u ngjit fuqishëm në të dy tregjet. Shitjet në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 390 për qind, duke arritur në 3.184 njësi, ndërsa në Gjermani regjistrimet e kompanisë kineze u rritën pothuajse pesëfish, respektivisht në 1.126 njësi.
Pavarësisht rritjes së përgjithshme të tregut të automjeteve elektrike, me shitjet e automjeteve elektrike me bateri në Gjermani që u rritën me 58 për qind në 48.614 njësi dhe tregun e Mbretërisë së Bashkuar që u zgjerua me 9,1 për qind, Tesla humbi ndjeshëm terren në rajon.
Të dhënat më të fundit konfirmojnë një rënie rajonale të shitjeve të kompanisë së Elon Musk, e cila po përballet me konkurrencë të ashpër, veçanërisht nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike, si dhe me dëme në imazhin e markës për shkak të komenteve përçarëse të Muskut dhe lidhjeve të tij me administratën e presidentit Donald Trump.
Kundërpërgjigja ndaj kësaj mund të ndihet më fuqishëm në Evropë, gjë që dëshmohet nga rënia e ndjeshme e shitjeve të kompanisë Tesla në rajon në gjysmën e parë të vitit.
Të dhënat nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave treguan një rënie prej 43,7 për qind nga viti në vit në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Tesla gjithashtu humbi pjesë të tregut në Evropë për të gjashtin muaj radhazi në muajin qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.