
Istanbul
Ministrja e Punëve të Jashtme e Francës, Catherine Colonna, është takuar në Pekin me kryeministrin kinez, Li Qiang, transmeton Anadolu.
Kryediplomatja franceze tha se të dy palët "punojnë për të gjetur përgjigje për sfidat globale, ndryshimet klimatike dhe biodiversitetin", ndërsa Pekini dhe Parisi gjithashtu kërkojnë të "thellojnë dhe ribalancojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike".
Të dhënat ekonomike tregojnë se tregtia vjetore midis Francës dhe Kinës është rreth 81 miliardë dollarë.
Colonna ndodhet në Kinë në një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të homologut të saj kinez, Wang Yi, për bisedime të nivelit të lartë.
Wang dhe Colonna do të bashkëorganizojnë takimin e gjashtë të mekanizmit të dialogut të nivelit të lartë Kinë-Francë rreth shkëmbimit kulturor, njohurive dhe përvojave të ndryshme, sipas Ministrisë së Jashtme kineze.
Të dyja palët do të përgatiten edhe për 60-vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike vitin e ardhshëm.
Presidenti kinez, Xi Jinping, zhvilloi një bisedë me homologun e tij francez Emmanuel Macron të hënën, ndërsa të dy palët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe situatën në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës.
Macron në fillim të këtij viti bëri një vizitë zyrtare në Kinë, ndërsa Kryeministri Li gjithashtu vizitoi Parisin në qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.