Istanbul
Drejtori ekzekutiv i gjigantit amerikan të teknologjisë "Nvidia", Jensen Huang ka paralajmëruar se SHBA-ja po mbetet prapa në inteligjencën artificiale, me Kinën që është gati "të fitojë garën e inteligjencës artificiale", transmeton Anadolu.
Huang tha se "Perëndimi, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, po pengohet nga cinizmi" dhe bëri thirrje për më shumë optimizëm gjatë Samitit të "Financial Times" për të ardhmen e inteligjencës artificiale. Ai kritikoi rregullat e reja për inteligjencën artificiale në nivel shtetesh në SHBA, që mund të krijojnë 50 rregullore të reja.
Ai i krahasoi këto rregulla me subvencionet kineze të energjisë që ulin kostot për kompanitë vendase në zhvillimin e alternativave ndaj çipave të inteligjencës artificiale, duke theksuar se energjia është falas.
Komentet e shefit të kompanisë "Nvidia" vijnë teksa administrata e presidentit amerikan Donald Trump mban ndalimin e saj për shitjet e çipave më të përparuar të "Nvidia"-s në Kinë, pavarësisht takimit të fundit midis presidentit Trump dhe presidentit kinez, Xi Jinping.
Huang më herët paralajmëroi se modelet më të fundit të inteligjencës artificiale amerikane mezi i tejkalojnë rivalët kinezë dhe i kërkoi qeverisë të hapë tregun për çipat e "Nvidia"-s për ta mbajtur botën të varur nga teknologjia amerikane.
Pas takimit me presidentin kinez muajin e kaluar, Trump tha se nuk do t'i lejojë Kinës qasje në çipat më të përparuar "Blackwell" të "Nvidia"-s, duke thënë për CBS News: "Më të përparuarit, nuk do të lejojmë askënd t'i ketë përveç SHBA-së".
"Sa i përket çipave më të përparuar, çipit 'Blackwell', kjo nuk është diçka që ne jemi të interesuar t'ia shesim Kinës në këtë kohë", përsëriti të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
