Scholz: Me BE-në po përparojmë drejt zgjidhjes lidhur me motorët me djegie të brendshme
Një grup vendesh të kryesuara nga Gjermania, kanë kundërshtuar iniciativën BE-së për të ndaluar që nga viti 2035 shitjen e automjeteve të reja që kanë motor me djegie të brendshme

Berlin
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se Bashkimi Evropian (BE) është në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje ndaj mosmarrëveshjes me vendin e tij mbi përpjekjet për të ndaluar që nga viti 2035 shitjen e automjeteve të reja që kanë motor me djegie të brendshme, transmeton Anadolu.
Kancelari Scholz njoftoi se në Samitin e Liderëve të BE-së në Bruksel do të diskutojnë një sërë çështjesh që ndodhen në axhendën e Evropës dhe se njëra prej këtyre do të jetë fuqi konkuruese e BE-së.
"Janë në rrugën e duhur bisedimet mes Komisionit Evropian dhe qeverisë gjermane për çështjen e motorëve me djegie të brendshme", tha Scholz duke shtuar se "Tani është çështja e gjetjes së rrugës së drejtë për të zbatuar premtimin e KE-së të dhënë prej shumë kohësh".
Një grup vendesh të kryesuara nga Gjermania, kanë kundërshtuar iniciativën BE-së për të ndaluar që nga viti 2035 shitjen e automjeteve të reja që kanë motor me djegie të brendshme, pra që janë me benzinë dhe naftë.
Rregullorja e miratuar nga Parlamenti Evropian (PE) që do të sjellë standarde strikte të emetimit të karbonit në automjetet e reja dhe automjetet e lehta komerciale që do të shiten në vendet e BE-së, ka shkaktuar reagimin e vendeve kryesore prodhuese të automjeteve të BE-së.
Për të mbështetur planin, Gjermania tha se BE-ja duhet të vendosë një përjashtim lidhur me karburantet sintetike, të njohur si e-karburant që prodhohet me energji të rinovueshme dhe me kapjen e dioksidit të karbonit në ajër dhe se për këtë çështje ka kërkuar një rregullore nga KE-ja.
Në këtë mënyrë, ky qëndrim i Gjermanisë e cila kërkon garanci për shitjen e automjeteve të reja me djegie të brendshme që punojnë me karburante sintetike, shkaktoi reagimin e Francës. Ndërkohë lidhur me këtë çështje vazhdojnë negociatat mes KE-së dhe Gjermanisë.
Mosmarrëveshja për çështjen e motorëve me djegie të brendshme në BE ka shkaktuar shqetësim se mes disa zyrtarëve të BE-së mund të zgjidhen marrëveshje politike lidhur me ligjet e tjera të mëdha.