Ekonomi

Rezerva Federale e SHBA-së mbështet qëndrim më kufizues nëse vazhdon inflacioni

Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit me 75 pikë bazë më 15 qershor, që ishte rritja më e madhe e normës në 28 vjet

Övünç Kutlu  | 06.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
Rezerva Federale e SHBA-së mbështet qëndrim më kufizues nëse vazhdon inflacioni

Ankara

Rezerva Federale e SHBA-së mbështet një qëndrim më kufizues në politikën e saj monetare nëse inflacioni i lartë vazhdon, sipas procesverbalit të publikuar të mërkurën nga mbledhja e saj e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anëtarët e Komitetit Federal të Tregut të Hapur (FOMC) "u pajtuan se perspektiva ekonomike garantonte kalimin në një qëndrim kufizues të politikës dhe ata pranuan mundësinë që një qëndrim edhe më kufizues mund të ishte i përshtatshëm nëse presionet e larta inflacioniste do të vazhdonin", thuhet në procesverbalin e mbledhjes së bankës qendrore të mbajtur më 14-15 qershor.

"Përveç kësaj, një qëndrim i tillë do të ishte i përshtatshëm nga perspektiva e menaxhimit të rrezikut, sepse do ta vinte Komitetin në një pozicion më të mirë për të zbatuar politikë më kufizuese nëse inflacioni do të ishte më i lartë se sa pritej", thuhet në procesverbal.

Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit me 75 pikë bazë më 15 qershor, që ishte rritja më e madhe e normës në 28 vjet, pasi inflacioni vjetor i konsumit u rrit me 8,6 për qind në maj, duke lëvizur rreth nivelit më të lartë të 40 viteve.

Anëtarët e FOMC-së vunë në dukje se një rritje prej 50 ose 75 pikë bazë ka të ngjarë të jetë e përshtatshme në takimin e ardhshëm në 26 - 27 korrik.

Shumë anëtarë theksuan se inflacioni i lartë "mund të rrënjoset nëse publiku fillon të vë në dyshim vendosmërinë e Komitetit për të rregulluar qëndrimin e politikës siç është e nevojshme".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.