Partneriteti Turqi-Itali për dronët i afrohet momentit të parë të prodhimit
Gjatë muajve në vijim, dronët do të shfaqin aftësi të tilla si uljet në kushte të specializuara dhe operacionet e koordinuara të grupit
Ankara
Prodhimi i mjeteve të para ajrore pa pilot (dronëve) të klasit të mesëm të zhvilluara nëpërmjet një partneriteti midis Baykar të Turqisë dhe Leonardo të Italisë pritet të përfundojë deri në prill, tha një zyrtar të mërkurën, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për investitorët dhe shtypin ku prezantoi rezultatet financiare të kompanisë Leonardo për vitin 2025, CEO i Leonardo-s, Roberto Cingolani, tha se kompania ka fituar një vrull të jashtëzakonshëm në segmentin e dronëve, duke theksuar bashkëpunimin e saj të ngushtë me prodhuesin turk të dronëve Baykar.
Ai vuri në dukje se të dy kompanitë po punojnë çdo ditë për të integruar teknologjitë e reja dhe se detaje të mëtejshme do të përshkruhen në një plan strategjik të përditësuar të planifikuar për publikim në javët e ardhshme.
Duke theksuar ritmin e shpejtë të progresit, Cingolani tha se përparime të rëndësishme janë arritur në vetëm tetë muaj.
Ai njoftoi se montimi dhe prodhimi i dronëve të para të klasit të mesëm do të finalizohet deri në prill në objektin e kompanisë Leonardo në Ronchi dei Legionari në Italinë veriore.
Cingolani shtoi se programi mbulon një gamë të gjerë platformash, duke përfshirë sistemet me krahë fiks dhe ato rrotullues.
Përpara se të kalojë në prodhim dhe shitje masive, të cilat pritet të arrijnë qindra njësi, avioni do t'i nënshtrohet një faze testimi dhe demonstrimi afërsisht njëvjeçare.
Gjatë muajve në vijim, dronët do të shfaqin aftësi të tilla si uljet në kushte të specializuara dhe operacionet e koordinuara të grupit.
Cingolani tha gjithashtu se progresi në iniciativën e dronëve pritet të ketë një ndikim të dukshëm në divizionin elektronik të Leonardo-s pas zhvillimeve të lidhura me Programin Global Combat Air (GCAP), një projekt shumëkombësh mbrojtës.
Ai shtoi se investimet po vazhdojnë sipas planit dhe se programi i dronëve aktualisht po ecën pak përpara afatit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
