Nintendo lançon konsolën e re "Switch 2", e para pas 8 vitesh
Kompania japoneze e videolojërave synon të shesë 15 milionë njësi të pajisjes së re në gjithë botën deri në mars 2026

Istanbul
Entuziastët e videolojërave morën pozicionet e tyre në radhë nëpër dyqane të enjten në mëngjes, pasi Nintendo lançoi konsolën e re “Switch 2” për herë të parë pas tetë vitesh, transmeton Anadolu.
Kompania japoneze e videolojërave synon të shesë 15 milionë njësi të pajisjes së re në gjithë botën deri në mars 2026, duke debutuar me tituj ekskluzivë si “Mario Kart World”.
Switch 2 vjen pas konsolës “Switch”, e cila doli në mars 2017. Modeli i ri kushton 49.980 jenë (rreth 350 dollarë) për versionin ekskluziv japonez, ndërsa versioni shumëgjuhësh kushton 69.980 jenë (rreth 450 dollarë).
Switch 2 ofron një ekran më të madh, grafikë më të mirë dhe kontrollues të përmirësuar, dhe gjithashtu përfshin ndarje ekrani dhe bisedë zanore përmes një mikrofoni të integruar.
Duke reflektuar interesin e fortë, kompania njoftoi në maj se pret një rritje prej 63,1 për qind të të ardhurave në bazë vjetore në vitin fiskal 2025, duke arritur në 1,9 trilionë jenë (rreth 13 miliardë dollarë).
Presidenti i Nintendos, Shuntaro Furukawa, ka thënë se prodhimi i Switch 2 do të rritet për të përmbushur kërkesën e lartë.
Ndërsa Switch-i origjinal ka shitur mbi 150 milionë njësi dhe renditet ndër konsolat më të suksesshme të Nintendos, shitjet e tij kanë rënë kohët e fundit pasi arritën kulmin në 28,8 milionë njësi në vitin fiskal 2020 për shkak të harduerit të vjetër.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.