Ekonomi

Ministrja Dimitrieska Koçoska në Stamboll: Marrëdhëniet ekonomike po ndryshojnë, vendet të rishpikin modelet e tyre

Në Stamboll ka nisur "Samiti i Nëntë Ekonomik i Stambollit" ndërsa në hapje foli ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila theksoi se rendi botëror po ndryshon ndjeshëm

Fahri Aksüt  | 11.12.2025 - Përdıtësım : 12.12.2025
Ministrja Dimitrieska Koçoska në Stamboll: Marrëdhëniet ekonomike po ndryshojnë, vendet të rishpikin modelet e tyre Foto: Fahri Aksüt / AA

Istanbul

Në Stamboll ka nisur "Samiti i Nëntë Ekonomik i Stambollit", me temën kryesore "Ekuilibre të reja dhe bashkëpunime globale", duke mbledhur së bashku drejtues biznesi nga Turqia e bota, akademikë, burokratë dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, raporton Anadolu.

Samiti do të zhvillohet për dy ditë me radhë me një sërë sesionesh dhe takimesh "B2B" ku do të trajtohen ekonomia globale, energjia, industria, telekomunikacioni, financat, arsimi, transformimi digjital dhe investimet ndërkombëtare.

Në hapje të samitit foli ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila theksoi se rendi botëror po ndryshon ndjeshëm për shkak të rreziqeve gjeopolitike, sfidave energjetike dhe tronditjeve ekonomike që po formësojnë një arkitekturë të re globale.

Ajo nënvizoi se marrëdhëniet ekonomike e politike po evoluojnë me shpejtësi të paprecedent dhe se "çdo vend, pavarësisht madhësisë, duhet të rishpikë modelin e tij ekonomik".

"Ekuilibri i ri global nuk do të formohet spontanisht. Ai do të formësohet nga vendet që posedojnë vizion, guxim dhe kapacitet për t’i parë ndryshimet globale si mundësi, dinamikë dhe përfitime", theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja tha se masat tradicionale ekonomike nuk mjaftojnë më në një mjedis të pasigurt global dhe se vendet duhet të fokusohen në politika që krijojnë qëndrueshmëri, rrisin besimin dhe nxisin rritjen. Ajo theksoi se ekonomitë janë të ndërlidhura dhe se veprimet e koordinuara janë më efektive sesa qasjet individuale.

Duke folur për prioritetet e Maqedonisë së Veriut, Dimitrieska Koçoska tha se synimi i vendit është ndërtimi i një ekonomie dinamike, konkurruese dhe të qëndrueshme që tërheq investime dhe prodhon vlerë të shtuar.

Sipas saj, reformat në institucionet financiare dhe financat publike duhet të bazohen në tri shtylla: rritja e qëndrueshmërisë fiskale, mbështetja e investimeve produktive në sektorin privat dhe rritja e efikasitetit dhe transparencës në shpenzimet publike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.