Ministri maqedonas i Transportit: KE-ja të zbatojë masa që do të sigurojnë punë të papenguar të kompanive të transportit
Në një takim virtual me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe ministra përkatës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Nikolloski ka theksuar nevojën për zgjidhje afatgjata për problemet me të cilat përballen transportuesit
Shkup
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, kërkoi që Komisioni Evropian të zbatojë sa më shpejt masa konkrete për të siguruar punë të papenguar dhe të parashikueshme për kompanitë e transportit që operojnë në zonën Shengen, transmeton Anadolu.
Në një takim virtual me përfaqësues të Komisionit Evropian, përfshirë shefen e Drejtorisë për Zgjerim, Valentina Superti, dhe ministra përkatës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Nikolloski ka theksuar nevojën për zgjidhje afatgjata për problemet me të cilat përballen transportuesit, duke nënvizuar rëndësinë e sektorit për ekonominë rajonale dhe evropiane.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Transportit, Nikolloski ka përshëndetur iniciativën e KE-së për të zgjidhur problemin e transportuesve të mallrave, të cilët, sipas tij, për shkak të natyrës së punës së tyre, duhet të kenë kushte të qarta dhe të qëndrueshme për lëvizje brenda zonës Shengen.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë konfirmuar strategjinë e re të vizave të BE-së, në të cilën transportuesit njihen si profesionistë, ndërsa po shqyrtohet mundësia që ata të trajtohen njësoj si pilotët dhe makinistët.
Në takim është bërë e ditur se zbatimi i sistemit biometrik elektronik për hyrje dhe dalje në zonën Shengen është shtyrë nga fillimi i prillit në shtator të këtij viti.
Ndërkohë, siç njoftohet, do të formohet një grup pune në nivel ekspertësh, i cili duhet të takohet javën e ardhshme dhe të materializojë përfundimet e takimit të nivelit të lartë të sotëm.
Në takim, shtoi Ministria e Transportit, Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e sektorit të transportit dhe ndikimin e tij në ekonominë e përgjithshme dhe ka njoftuar angazhim të plotë për të gjetur zgjidhje të pranueshme përgjithmonë, e cila do të jetë në interes të të gjitha palëve.
Ndryshe, takimi vjen pasi javën e kaluar, transportuesit në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë nisën një bllokadë në pikat kufitare në shenjë proteste kundër rregullave të reja të qëndrimit në zonën Shengen.
Bllokada përfundoi pasi BE-ja dha sinjale për miratimin e një strategjie të re për vizat, e cila do të sigurojë zgjidhje për shoferët profesionistë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
