Ministri Hoti: Do t’i përfundojmë me kohë projektet e financuara nga Banka Botërore
Ministria e Financave është zotuar se do t’i zbatoj me sukses dhe me kohë, të gjitha marrëveshjet financiare që Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar me Bankën Botërore

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Ministria e Financave sot mbajti tryezën e diskutimit për Portofolin kreditor me Bankën Botërore (BB), që ishte takimi i parë për sivjet në vazhdën e takimeve të rregullta që organizohen për të siguruar implementimin e suksesshëm të marrëveshjeve financiare që Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar me BB-në, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë takim ku pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e institucioneve vendore, të BB-së si dhe koordinatorët e projekteve, ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti shprehu zotimin e institucionit që ai e drejton për të zbatuar me sukses të gjitha projektet me financim përmes portofolit të BB-së.
“Ministria e Financave ka të nënshkruara me Bankën Botërore gjithsej 9 marrëveshje financiare, ndërsa 2 prej tyre tashmë kanë përfunduar. Nga 9 marrëveshjet financiare shtatë nga ato janë me kompozim Kredi/Grant për financim të projekteve specifike që kontribuojnë në mirëqenien sociale në Kosovë, si dhe një marrëveshje financiare e nënshkruar në fushën e arsimit e cila është në proces të ratifikimit. Deri më tani, shuma totale e kredive të nënshkruara me Bankën Botërore është 68 milionë SDR, apo me kursin aktual rreth 85 milionë euro”, tha ministri Hoti.
Ai shtoi se Ministria e Financave që projektet do të zbatohen brenda kornizës së paraparë ligjore sepse, sipas tij, çdo shtyrje do të shkaktonte kosto më të lartë të huamarrjes si dhe do ta afektonte buxhetin.
Konkretisht, ministri Hoti deklaroi se, gjatë vitit 2016, në bazë të Marrëveshjes Financiare pritet të finalizohen tri projekte: Projekti për përforcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut, Projekti për modernizimin e sektorit publik, si dhe Projekti për pastrim të sektorit të energjisë dhe bonifikim të tokës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.