Marrëveshja e NATO-s me kompaninë turke HAVELSAN shkakton kritika ndaj qeverisë greke
NATO nënshkroi një kontratë me HAVELSAN për Softuerin e Planifikimit të Rrjetit të Qendrës së Menaxhimit të Lidhjeve të të Dhënave Taktike, i përshkruar si "sistemi nervor qendror" i ushtrive moderne
Ankara
Kontrata e softuerit që NATO nënshkroi me kompaninë turke HAVELSAN ka shkaktuar kritika ndaj qeverisë në Greqi, transmeton Anadolu.
NATO nënshkroi një kontratë me HAVELSAN për Softuerin e Planifikimit të Rrjetit të Qendrës së Menaxhimit të Lidhjeve të të Dhënave Taktike, i përshkruar si "sistemi nervor qendror" i ushtrive moderne, duke u mundësuar të gjitha forcave miqësore në ajër, në tokë dhe në det të flasin të njëjtën gjuhë dhe të shohin të njëjtën pamje.
Falë këtiij softueri qendrat e paralajmërimit dhe komandës dhe kontrollit, avionët e paralajmërimit të hershëm ajror, avionët luftarakë, anijet, sistemet e radarit dhe forcat tokësore, si dhe sistemet e raketave, ndajnë vazhdimisht të dhëna të tilla si vendndodhja, informacioni i objektivit dhe nënshkrimi i radarit.
Suksesi i eksportit të HAVELSAN është bërë një temë diskutimi në politikën greke. Ish-anëtari i Parlamentit Evropian, Giorgos Kyrtsos, kritikoi qeverinë greke për "pamjaftueshmëri" ose "kryerjen e gabimeve strategjike" përballë përparimeve teknologjike të Turqisë.
Duke tërhequr vëmendjen te marrëveshja e softuerit të HAVELSAN me NATO-n, Kyrtsos pohoi se kjo situatë mund të paraqesë një rrezik për sekretet e mbrojtjes së Greqisë.
Kyrtsos kritikoi qeverinë greke, duke deklaruar se ajo duhet të jetë më e kujdesshme në lidhje me rritjen e Turqisë në këtë fushë. Në një postim në rrjetet sociale, Kyrtsos deklaroi:
"Një tregues i përparimit teknologjik të Turqisë në industrinë e mbrojtjes është kontrata e nënshkruar nga HAVELSAN turke me NATO-n, e lidhur drejtpërdrejt me Forcat e Armatosura Turke. Kjo kontratë mbulon furnizimin me softuer për të mbështetur koordinimin e komunikimit midis avionëve të paralajmërimit të hershëm, avionëve luftarakë, anijeve luftarake, sistemeve të radarëve, njësive tokësore dhe sistemeve të raketave. Përdorimi i softuerit turk për koordinimin grek me NATO-n nënkupton një probabilitet të lartë të ndikimit turk në aksesin në informacionin e klasifikuar të sistemeve tona të mbrojtjes. Progresi i Turqisë në teknologjinë e mbrojtjes dhe industrinë e luftës në nivel NATO dhe evropian duhet të jetë një shkak shqetësimi për udhëheqjen e qeverisë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
