Linja holandeze KLM zgjat pezullimin e fluturimeve për në Dubai, Riad dhe Dammam deri më 17 maj
Transportuesi holandez përmendi shqetësime për sigurinë mes luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit, ndërsa më shumë linja ajrore ndërkombëtare po zgjasin anulimet e fluturimeve drejt Gjirit
Stamboll
KLM Royal Dutch Airlines njoftoi sot se nuk do të rifillojë fluturimet drejt Dubait, Riadit dhe Dammamit deri më 17 maj, duke përmendur shqetësime sigurie ndërsa lufta SHBA–Izrael kundër Iranit vazhdon, transmeton Anadolu.
Kompania ajrore holandeze tha se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti i saj kryesor dhe se vazhdon të monitorojë nga afër situatën duke qëndruar në kontakt me autoritetet përkatëse.
Më herët, kompania kishte njoftuar se kishte pezulluar fluturimet drejt Dammamit, Riadit dhe Dubait deri më 28 mars, si dhe drejt Tel Avivit deri më 11 prill.
Ky vendim vjen ndërsa disa kompani të mëdha ajrore ndërkombëtare kanë zgjatur gjithashtu pezullimet e fluturimeve drejt destinacioneve kyç në Gjirin Persik për shkak të tensioneve të vazhdueshme të sigurisë në rajon.
British Airways, Cathay Pacific dhe Aegean Airlines janë ndër kompanitë që kanë zgjatur pezullimet drejt disa qendrave në Gjirin Persik të paktën deri në prill ose maj, ndërsa Eurowings ka zgjatur disa anulime deri në fund të qershorit.
KLM-ja nuk bëri të ditur se sa fluturime apo pasagjerë do të preken nga kjo zgjatje e pezullimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
