Politikë, Ekonomi

Kryediplomati gjerman kritikon Francën për shpenzime “të pamjaftueshme” në mbrojtje sipas angazhimeve të NATO-s

“Do të duhet të zhvillojmë diskutime shumë të hapura brenda familjes sonë evropiane. Kushdo që sot flet për pavarësi nga SHBA-ja duhet së pari të bëjë detyrat e shtëpisë dhe Evropa ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, tha ai

Ayhan Şimşek  | 17.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Kryediplomati gjerman kritikon Francën për shpenzime “të pamjaftueshme” në mbrojtje sipas angazhimeve të NATO-s

Berlin

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka kritikuar Francën për shpenzime “të pamjaftueshme” në mbrojtje, duke theksuar se Parisi duhet të mbështesë me veprime thirrjet për sovranitet evropian, transmeton Anadolu.

Wadephul për transmetuesin publik Deutschlandfunk tha se aleatët evropianë duhet të ndërmarrin hapa konkret për të përmbushur angazhimet e NATO-s, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Presidenti francez, Emmanuel Macron, “me të drejtë flet vazhdimisht për synimin tonë drejt sovranitetit evropian”.

“Kushdo që flet për këtë duhet të veprojë në përputhje me rrethanat në vendin e vet”, tha Wadephul, duke shtuar: “Fatkeqësisht, përpjekjet në Republikën Franceze për ta arritur këtë deri tani kanë qenë të pamjaftueshme”.

Kryediplomati gjerman theksoi përpjekjet e Berlinit, përfshirë vendime të vështira buxhetore dhe rialokime për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

“Prandaj edhe Franca është e thirrur të bëjë atë që po bëjmë ne këtu, përkatësisht të angazhohet në diskutime të vështira për të krijuar kapacitete investimi, të marrë një ose dy masa shtrënguese në sektorin social dhe të realizojë kursime në fusha të tjera për të siguruar hapësirën e nevojshme për arritjen e objektivit qendror të mbrojtjes evropiane”, tha Wadephul.

Ai theksoi se kjo thirrje nuk i drejtohet vetëm Francës, por të gjithë partnerëve dhe aleatëve evropianë.

“Do të duhet të zhvillojmë diskutime shumë të hapura dhe shumë të ndershme brenda familjes sonë evropiane. Kushdo që sot flet për pavarësi nga SHBA-ja duhet së pari të bëjë detyrat e shtëpisë dhe Evropa ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.