Konsumi global i kafesë gjatë dekadës së fundit arriti në 370 miliardë dollarë
SHBA-ja është importuesi më i madh i kafesë, duke shpenzuar 69.2 miliardë dollarë për kafenë ndërsa Brazili është eksportuesi më i madh

Ankara
Konsumi i kafesë në botë gjatë 10 viteve të fundit arriti në 370.3 miliardë dollarë, sipas të dhënave nga Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë (ITC), transmeton Anadolu.
Sektori i kafesë vazhdon trendin e tij në rritje me rritjen e zinxhirëve të kafesë në mbarë botën. Importet e kafesë në vitet 2015-2024 arritën në një total prej 370.3 miliardë dollarësh ndërsa SHBA-ja përbën 69.2 miliardë dollarë nga ky total, të ndjekura nga Gjermania me 41.9 miliardë dollarë dhe Franca me 28.9 miliardë dollarë.
Importues të tjerë të mëdhenj të kafesë janë: Italia, Kanadaja, Belgjika, Spanja, Japonia, Holanda dhe Zvicra, me importet e tyre totale të kafesë që arrinin në 238.5 miliardë dollarë. Dhjetë importuesit kryesorë të kafesë përbënin 64.4 për qind të tregut në dekadën e fundit.
Ndërkohë, Brazili është eksportuesi më i madh i kafesë në botë, me eksportet gjatë dekadës së fundit që arritën në 360.3 miliardë dollarë, të ndjekura nga Zvicra me 28.7 miliardë dollarë dhe Kolumbia me 28.6 miliardë dollarë. Eksportues të tjerë të mëdhenj të kafesë janë: Gjermania, Vietnami, Italia, Hondurasi, Franca, Belgjika dhe Indonezia.
Në të njëjtën kohë, importet e kafesë në Turqi në vitet 2015-2024 arritën në 2.7 miliardë dollarë ndërsa çmimet për kafenë e importuar u rritën nga 153.4 milionë dollarë në vitin 2015 në 497.1 milionë dollarë në vitin 2024, rritje prej 224 për qind, sipas të dhënave nga zyra statistikore e vendit TurkStat.
Eksportet e kafesë në Turqi gjatë dekadës së fundit arritën në 354.5 milionë dollarë ndërsa këtë vit arritën në 55.6 milionë dollarë deri në qershor.