Ekonomi

Kompania turke "Kazancı Holding" do të investojë 1 miliard euro në sektorin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

- “Ky investim do t’u mundësojë qytetarëve tanë të kenë qasje në energji me çmime më të përballueshme dhe do të jetë një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndotjes së ajrit”, ka thënë kryeministri Hristijan Mickoski.

Hümeyra Ayaz  | 22.07.2025 - Përdıtësım : 22.07.2025
Kompania turke "Kazancı Holding" do të investojë 1 miliard euro në sektorin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

Ankara

ANKARA (AA) – Kompania turke “Kazancı Holding” ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me vlerë prej 1 miliard eurosh me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që ka për qëllim forcimin e infrastrukturës energjetike të vendit, reduktimin e ndotjes së ajrit dhe uljen e kostove të energjisë, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga kompania, aktive kryesisht në sektorin e energjisë, investimi që synohet të realizohet nga kompanitë e “Grupit Aksa”, ka për qëllim të ofrojë zgjidhje për nevojat energjetike të vendit dhe të përshpejtojë kalimin drejt zgjidhjeve miqësore me mjedisin.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua gjatë një ceremonie të drejtuar nga Kryetari i Bordit të Kazancı Holding, Cemil Kazancı, dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përfaqëson një rezultat konkret të dialogut konstruktiv dhe negociatave të fokusuara që kanë zgjatur prej kohësh, tha kompania.

Kryeministri Mickoski ka theksuar se projekti përfshin rrjete dytësore të gazit natyror dhe ngrohjes, si dhe centrale të kogjenerimit. “Ky investim do t’u mundësojë qytetarëve tanë të kenë qasje në energji me çmime më të përballueshme dhe do të jetë një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndotjes së ajrit”, ka thënë Mickoski, njoftohet në deklaratë.

Kryetari i Bordit të Kazancı Holding, Cemil Kazancı, ka shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e këtij memorandumi me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke deklaruar: “Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe inkurajues në zhvillimin e partneriteteve strategjike në sektorin e energjisë”.

Kazancı ka shtuar se projekti ndodhet aktualisht në fazën e planifikimit të gjerë.

“Në periudhën në vijim, do të fillojmë studimet e fizibilitetit për të vlerësuar realizueshmërinë teknike, ekonomike dhe mjedisore. Ky investim prej rreth 1 miliard eurosh, i cili përfshin zhvillimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike, ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit natyror dhe arritjen e sigurisë së furnizimit, do të kontribuojë jo vetëm në qëndrueshmërinë energjetike të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Ballkanit në tërësi. Ne e shohim Maqedoninë e Veriut si një qendër strategjike që do të na ndihmojë të forcojmë bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë”, ka deklaruar Kazancı.

Ai gjithashtu ka theksuar se nëpërmjet këtij investimi do të krijohet infrastruktura që do të mundësojë shpërndarjen e gazit natyror nëpër familje dhe se me zgjidhje të qëndrueshme mjedisore, lufta kundër ndotjes së ajrit do të forcohet. “Përtej uljes së kostove të energjisë, jemi të kënaqur që po sjellim në Maqedoninë e Veriut qasjen tonë të fokusuar në qëndrueshmëri mjedisore dhe zhvillim lokal”, është shprehur Kazancı.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.