Kompania Royal Dutch Shell planifikon zhvendosjen e selisë së saj nga Holanda në Angli
Në një deklaratë me shkrim nga kompania bëhet e ditur se të gjitha aksionet e Shell do të regjistrohen në Britaninë e Madhe, nëse këtë e miraton bordi i drejtorëve

Amsterdam
Kompania me partneritet holandezo-anglez, Royal Dutch Shell, po zhvendos selinë e saj në Angli për t'u bërë një kompani tërësisht britanike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga kompania bëhet e ditur se të gjitha aksionet e Shell do të regjistrohen në Britaninë e Madhe, nëse këtë e miraton bordi i drejtorëve.
Në deklaratë thuhet se selia e kompanisë Shell në Hagë të Holandës do të zhvendoset në Angli.
Në deklaratë, ku thuhet se ndryshimi i strukturës së partneritetit dypalësh do të ishte më i kuptueshëm për investitorët, theksohet se ndryshimi do të rriste fuqinë konkurruese të kompanisë.
"Regjistrimi dhe pagimi i taksave në një shtet të vetëm do të lehtësojë strukturën dhe administrimin e kompanisë dhe do të rrisë konkurrencën e saj", tha në një deklaratë kreu i kompanisë Shell, Andrew Mackenzie.
Pasi të miratohet ndryshimi, bëhet e ditur se kompania Royal Dutch Shell do të quhet vetëm Shell.
Qeveria holandeze e pakënaqur me lëvizjen e kompanisë
Në deklaratën e bërë në llogarinë në Twitter të Ministrisë së Ekonomisë së Holandës, ministri për Çështjet Ekonomike Stef Blok tha se "vendimi na befasoi në aspektin negativ. Qeveria është e mërzitur për vendimin".
Teksa qeveria u njoftua për lajmin, thuhet se janë zhvilluar negociata me drejtuesit e kompanisë Shell për investime në Holandë, që ndërlidhen me personelin dhe zgjerime të tjera në vend.
Në deklaratën e ministrisë theksohet se Shell ka marrë garanci se vendimi do të zbatohet në Holandë me numrin më të vogël të humbjeve të vendeve të punës.
Në nëntor 2020, një nga prodhuesit kryesorë në botë të ushqimit dhe kozmetikës Unilever, që gjithashtu ishte një kompani me partneritet holandezo-anglez, zhvendosi selinë e saj nga Roterdami në Londër.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.