Politikë, Ekonomi

Kina hedh poshtë paralajmërimin e shefit të NATO-s për sanksione të SHBA-së për shkak të luftës në Ukrainë

- Shefi i NATO-s u tha gazetarëve se "presidenti Trump tha se nëse Rusia nuk tregohet serioze për bisedimet e paqes (në Ukrainë), brenda 50 ditësh ai do të vendosë sanksione dytësore ndaj vendeve si India, Kina dhe Brazili"

Riyaz Khaliq Khaliq  | 16.07.2025 - Përdıtësım : 16.07.2025
Kina hedh poshtë paralajmërimin e shefit të NATO-s për sanksione të SHBA-së për shkak të luftës në Ukrainë

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Pekini ka hedhur poshtë paralajmërimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se Brazili, Kina dhe India mund të përballen me sanksione dytësore nga SHBA-ja nëse vazhdojnë tregtinë me Rusinë, transmeton Anadolu.

"Dialogu dhe negociatat janë e vetmja mënyrë e zbatueshme për të dalë nga kriza (në Ukrainë)", tha në një konferencë për media në Pekin zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian.

"Kina kundërshton sanksionet e njëanshme. Luftërat tregtare nuk kanë fitues dhe shtrëngimi apo presioni nuk çojnë askund", shtoi ai.

Pas një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump, Rutte u tha gazetarëve: "Presidenti Trump tha se nëse Rusia nuk tregohet serioze për bisedimet e paqes (në Ukrainë), brenda 50 ditësh ai do të vendosë sanksione dytësore ndaj vendeve si India, Kina dhe Brazili".

Këto komente erdhën pasi Trump të hënën kërcënoi se do të vendosë 100 për qind tarifa dytësore ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditësh.

"SHBA tani do ta furnizojë masivisht Ukrainën me armë të prodhuara në SHBA, jo vetëm mbrojtje ajrore, por edhe raketa dhe municione, të financuara nga evropianët", tha Rutte.

Megjithatë, Lin, tha se shpresojnë që "palët të ndihmojnë në krijimin e atmosferës dhe kushteve për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë".

Lidhur me komentet për Kinën nga ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, i cili është i propozuar nga presidentit Trump për ambasador në OKB, Lin tha: "Këto deklarata pasqyrojnë një paragjykim ideologjik tipik, mendësi të Luftës së Ftohtë dhe lojë me rezultat zero dhe Kina i refuzon kategorikisht".

Gjatë votimit për konfirmimin e tij, Waltz deklaroi: "Duhet të pengojmë dhe kundërshtojmë ndikimin e Kinës (në OKB). Amerika duhet të ketë një zë të fortë dhe nëse konfirmohem do të punoj me sekretarin (Marco) Rubio për ta sfiduar këtë ndikim".

Megjithatë, Lin bëri thirrje për "përpjekje të arsyeshme dhe konkrete" nga ana e SHBA-së për "marrëdhënie dypalëshe të qëndrueshme, në vend që të veprohet në drejtim të kundërt".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.