Kina bën thirrje për dialog pasi Trumpi tha se një forcë e madhe po shkon drejt Iranit
"Pekini shpreson se Irani do të ruajë stabilitetin kombëtar dhe shpreson që të gjitha palët do ta çmojnë paqen", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun
Istanbul
Kina sot bëri thirrje për dialog pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se një "forcë e madhe" po shkon drejt Iranit, transmeton Anadolu.
"Pekini shpreson se Irani do të ruajë stabilitetin kombëtar dhe shpreson që të gjitha palët do ta çmojnë paqen, do të ushtrojnë përmbajtje dhe do të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut", u tha gazetarëve në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.
Ndërsa Trumpi u tha gazetarëve të enjten në bordin e "Air Force One" gjatë rrugës së kthimit për në Washington, DC, nga Davosi i Zvicrës se: "E dini, kemi shumë anije që shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Kemi një flotë të madhe (që shkon) në atë drejtim dhe do të shohim se çfarë ndodh".
"Kemi një forcë të madhe që shkon drejt Iranit. Do të preferoja të mos shihja asgjë të ndodhte", shtoi ai.
Trumpi tha se SHBA-ja po e vëzhgon Iranin "shumë nga afër". "Kemi një armatë. Kemi një flotë të madhe që shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim. Do ta shohim", theksoi ai.
Në kulmin e protestave në Iran në fillim të këtij muaji, Trumpi paralajmëroi se SHBA-ja do të "ndërmerr veprime shumë të forta" kundër Teheranit, por tensionet janë ulur gjatë javës së kaluar ndërsa demonstratat u qetësuan.
Numri i të vdekurve nga protestat antiqeveritare në Iran u rrit në 5.002, tha të enjten Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në se mbështet atë që ata e përshkruajnë si "protestues të armatosur", të cilët kanë kryer disa sulme në vende publike në të gjithë vendin.
Duke reaguar ndaj raportimeve se SHBA-ja do të lejonte Kinën të blinte naftë venezueliane, por jo me çmimet "e ulëta" me të cilat shitej nafta bruto gjatë administratës së presidentit të kapur Nicolas Maduro, Guo tha se vendi i Amerikës së Jugut "është shtet sovran dhe ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur partnerët e tij të bashkëpunimit".
Administrata e Trumpit në një operacion ushtarak më 3 janar, kapi udhëheqësin venezuelian Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores në Karakas dhe i transportoi ata me aeroplan në New York, ku çifti është ndaluar.
