Ekonomi

Kancelari gjerman propozon eliminimin e të gjitha tarifave tregtare midis BE-së dhe SHBA-së

"Përshtypja ime është se në SHBA tani ka një ndërgjegjësim në rritje për efektet negative të tarifave të larta në ekonominë e tyre dhe ai (Trump) sigurisht është i vetëdijshëm për këtë", tha Merz

Ayhan Şimşek  | 09.05.2025 - Përdıtësım : 09.05.2025
Kancelari gjerman propozon eliminimin e të gjitha tarifave tregtare midis BE-së dhe SHBA-së

Berlin

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz ka përsëritur propozimin e tij për të eliminuar të gjitha tarifat midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, kancelari Merz tha se diskutoi për zgjidhje të mundshme për mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregtare me SHBA-në mbrëmë gjatë një telefonate me presidentin Donald Trump.

"I thashë se përshkallëzimi i kësaj mosmarrëveshjeje me tarifat nuk është ide e mirë. Zgjidhja më e mirë do të ishte ulja e tarifave në zero për gjithçka", u tha Merz gazetarëve duke shtuar se Trump e ftoi në Washington për diskutime të mëtejshme mbi këtë çështje.

"Përshtypja ime është se në SHBA tani ka një ndërgjegjësim në rritje për efektet negative të tarifave të larta në ekonominë e tyre dhe ai (Trump) sigurisht është i vetëdijshëm për këtë", tha Merz.

Prandaj, shtoi ai, ata do të përpiqen "të gjejnë diçka se çfarë mund të bëjnë së bashku".

"Bindja ime mbetet se një mosmarrëveshje e tillë tarifore mund vetëm të na dëmtojë gjithëve dhe në fund të fundit nuk do t'i sjellë dobi askujt", tha Merz.

Gjatë telefonatës, kancelari gjerman përgëzoi presidentin amerikan për negociatat e suksesshme tregtare me Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se SHBA-ja duhet të negociojë marrëveshje tregtare me BE-në në tërësi, jo me vende individuale të bllokut.

"Kjo është një rrugë e mirë. Megjithatë, unë i shpjegova se kjo nuk mund të bëhet me vende të tjera individuale evropiane që janë anëtare të BE-së, sepse ne mundemi dhe duam të veprojmë vetëm së bashku në politikën tregtare. Pata përshtypjen se ai e pranon këtë dhe se është pikëpamja e tij se ai mund ta bëjë këtë vetëm së bashku me ne", tha Merz.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.