Kancelari gjerman paralajmëron SHBA-në: BE-ja do të mbrohet nga kërcënimet për tarifa
Merz tha se liderët e BE-së demonstruan unitet dhe vendosmëri duke shmangur me sukses kërcënimet për tarifa nga presidenti Trump për mosmarrëveshjen mbi Grenlandën
Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka deklaruar se evropianët do të donin të vazhdojnë bashkëpunimin me SHBA-në, por nuk do të dorëzohen ndaj kërcënimeve të mëtejshme për tarifa dhe do të përgjigjen me kundërmasa nëse është e nevojshme, transmeton Anadolu.
Në fjalën e tij në parlamentin gjerman, Merz u tha ligjvënësve se liderët e BE-së demonstruan unitet dhe vendosmëri gjatë samitit të tyre të jashtëzakonshëm javën e kaluar, duke shmangur me sukses kërcënimet për tarifa nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për mosmarrëveshjen mbi Grenlandën.
"Javën e kaluar, ne treguam se BE-ja mund të veprojë shumë shpejt kur është e nevojshme. Ne ramë dakord se nuk do të lejojmë veten të frikësohemi përsëri nga kërcënimet për tarifa. Kushdo në botë që beson se tarifat janë të nevojshme për politika kundër Evropës duhet të dijë se ne jemi të përgatitur dhe të aftë të mbrohemi nëse është e nevojshme", tha Merz.
Më parë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa për vendet evropiane që kundërshtojnë planin e tij për të blerë Grenlandën. Megjithatë, ai e moderoi qëndrimin e tij pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Davos të Zvicrës javën e kaluar.
Pas takimit, Trumpi u tha gazetarëve se ishte diskutuar një marrëveshje kornizë për të adresuar shqetësimet e sigurisë së SHBA-së, megjithëse nuk zbuloi detaje specifike. Disa raportime në media sugjeruan se marrëveshja do të përcaktojë bazat ushtarake amerikane në Grenlandë si territor sovran të SHBA-së.
Trumpi vazhdimisht ka deklaruar se SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare dhe për t'iu kundërvënë rivalëve si Kina dhe Rusia në Arktik. Danimarka dhe Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, kanë hedhur poshtë çdo propozim për shitjen e territorit ose për të hequr dorë nga sovraniteti.
