Kancelari gjerman përsëri kërkon një marrëveshje të shpejtë tregtare me SHBA-në derisa afati për tarifat afrohet
- “Ngërçi tregtar me SHBA-në duhet të zgjidhet shpejt. Më mirë shpejt dhe thjesht sesa gjatë, e komplikuar dhe me muaj negociata”, tha Merz

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përsëritur nevojën për një marrëveshje të shpejtë tregtare me SHBA-në për të mbrojtur sektorët kyç si farmaceutikën, industrinë automobilistike dhe çelikun, derisa afati për tarifat më 9 korrik po afron, transmeton Anadolu.
“Ngërçi tregtar me SHBA-në duhet të zgjidhet shpejt. Më mirë shpejt dhe thjesht sesa gjatë, e komplikuar dhe me muaj negociata”, tha Merz në një konferencë të organizuar në Berlin.
Ai theksoi rëndësinë e sektorëve të kimisë, automobilave, farmaceutikës, inxhinierisë mekanike, aluminit dhe çelikut, të cilët janë të kërcënuar nga tarifat amerikane.
Duke theksuar se Evropa duhet të përgatitet për mundësinë që SHBA-ja të dobësojë lidhjet me kontinentin, Merz tha se ka dyshime të arsyeshme nëse Evropa dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të ndajnë interesa të përbashkëta afatgjate.
Komentet e kancelarit Merz vijnë derisa të dyja palët janë duke negociuar një marrëveshje tregtare, të cilën BE-ja dëshiron ta përfundojë para afatit të tarifave.
Më 26 qershor, Merz tha se dëshiron të shohë një marrëveshje “të shpejtë dhe të thjeshtë” me SHBA-në në vend të një “të ngadaltë dhe të ndërlikuar”.
Në muajin prill, SHBA-ja vendosi një tarifë të drejtpërdrejtë prej 20 për qind ndaj BE-së, të cilën më pas e pezulloi më 9 prill për 90 ditë.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e një tarife të drejtpërdrejtë prej 50 për qind ndaj BE-së që do të hynte në fuqi më 1 qershor, duke theksuar se negociatat tregtare “nuk po çojnë askund”.
Megjithatë, pas një bisede me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Trump njoftoi se tarifa e re do të shtyhet për më 9 korrik.
Këtë javë, Trump tha se nuk ka plane për të zgjatur afatin e 9 korrikut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.